Veriu i Kosovës ka qenë ditëve të fundit në faqet e mediumeve më të njohura ndërkombëtare, derisa së fundi, një raportim e ka bërë edhe “Politico”.
“25 vjet pas luftës në Ballkan e cila përfundoi e bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, konflikti etnik ka shpërthyer sërish në Kosovë.” – kështu nis shkrimi.
Si ndodhi gjithçka?
Tensionet në veri nisën pas zgjedhjeve të mabjtura në prill në katër komunat veriore në veri të Kosovës, thuhet në këtë shkrim.
“Vendimi i Kosovës për t’i vendosur kryetart, me ndihmë të policisë, ka shkaktuar dhunë, duke përfshirë edhe skena të shëmtuara që muajin e kaluar u panë serbë duke sulmuar trupat e NATO-s” – bëhet e ditur mes tjerash.
Deri tutje, përmendet se pas krejt kësaj, tre zyrtarë policorë kosovarë u kidnapuan nga Serbia.
“Faktori ndërkombëtar po e humb durimin – shpejt” – shkruan tutje.
“Politico” citon një deklaratë të emisarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili ka deklaruar se “ShBA-ja dhe BE-ja ua kanë bërë me dije të dyja palëve se çfarë pritshmëritë i kanë”.
Senatorja Jeanne Shaheen, e cila siç raportohet këto ditë pati edhe një bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i ka thënë mediumit se “është detyrë e Serbisë dhe Kosovës që të marrin përgjegjësi dhe të bëjnë hapa konkret drejt deeskalimit, ose të rrezikojnë të kompromentojnë marrëdhëniet bilaterale të rëndësishme me ShBA-të”.
Ndërkohë, Milan Nic, një ekspert i Ballkanit në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme ka deklaruar se ministrat e jashtëm në Evropë janë të frustuar me kryeministrin Kurti.
“S’ka dyshime që ministrat e Jashtme përgjatë Evropës – duke përfshirë Gjermaninë – janë të frustruar me Kurtin. Është një përceptim që ai s’e njeh fragjilitetin e situatës dhe po vendos më shumë benzinë në flakë.” – u shpreh ai.
Zhvillimet e fundit
Situata në veri edhe sot ka qenë e tensionuar. Nëntë policë janë sulmuar nga persona të maskuar në veri, derisa po ndiqnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Disa prej gazetarëve, kërkuan ndihmë mjekësore, derisa rasti u dënua edhe nga krerët më të lartë të shtetit.
‘Për fund, vlen të theksohet se përderisa ShBA-ja e Britania e Madhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre policëve, KFOR-i në anën tjetër, ka thënë se mbesin ende të paqarta rrethanat e këtij rasti.
“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit.” – thuhej në komunikatën e KFOR-it për media.
Në komunikatën e KFOR-it, gjithashtu theksohet se të dyja palët duhet të respektojnë përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, përfshirë policinë kufitare.
“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës – përfshirë policinë kufitare – dhe KFOR-it. – thuhej aty.