Politologu Agon Maliqi ka komentuar sjelljen te pazakontë të kryeministrit Albin Kurti gjatë fushatës elektorale. Sipas Maliqit, Kurti po përqendrohet kryesisht te militantët e tij më të flaktë, duke lënë jashtë vëmendjes votuesit pragmatikë që në vitin 2021 kaluan nga partitë e tjera drejt Lëvizjes Vetëvendosje.
Maliqi argumenton se kjo strategji është e kufizuar dhe mund të jetë më tepër një përpjekje për të ruajtur bazën fillestare të votuesve të vitit 2019 (25%) sesa për të tërhequr votues të rinj ose për të mbajtur ata që u bashkuan në vitin 2021.
Postimi i plotë:
Kryeministri me këtë strategji fushate nuk po i flet votuesit të partive të tjera i cili do t’i duhej për të shkuar te 500k. Madje nuk po i flet as votuesit pragmatik që kaloi në VV në vitin 2021 prej partive të tjera, pasi Kurti foli me tone përbashkuese.
Me këtë qasje të sotme ai po i flet vetëm militantit më të flaktë, e që le të themi në rastin më të mirë janë votuesit e vitit 2019 (25%). Pra sikur nuk po përpiqet as që ta rrisë votën dhe as ta mbajë atë që e kishte, por të rikthehet në origjinë. Kjo më shumë se strategji për të mbetur në pushtet po duket (me ose pa qëllim) si rrugë e sigurtë për në opozitë.