Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është takuar sot me Nënkryetarin e Prishtinës, Shkëmb Manajn, dhe Drejtorin e Shërbimeve Publike, Bekim Brestovcin, lidhur me kaosin e krijuar nga mbeturinat në kryeqytet.
Qelaj ka shprehur gatishmërinë që të ndërmjetësojë mes Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes “Pastrimi”.
“…ku pohoi se do t’i takojë edhe komunat tjera aksionare në Kompaninë “Pastrimi”, për të parë modalitet e zgjidhjes së problemit me mbeturina, në njëren anë, dhe garantimin e repektimit të të drejtave të të punësuarve, në anën tjetër”, thuhet në njoftim.
Sipas Avokatit të Popullit, dy zyrtarët komunalë kanë treguar për masat e propozuara në funksion të zgjidhjes së kësaj situate, përfshirë këtu edhe ruajtjen nga cenimi i të drejtave të të punësuarve aktual në Kompaninë Rajonale “Pastrimi”.
“Përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës e informuan Avokatin e Popullit me problemet të cilat, sipas tyre, e kanë sjellë në këtë pikë situaten me menagjimin e mbeturinave dhe veprimet të cilat i ka ndërmarrë Komuna për t’iu shmanguar gjendjes aktuale. Mbi të gjitha, ata theksuan problemet politike të cilat e kanë përshkuar situatën e menagjimit të mbeturinave, në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.