Në kuadër të kësaj situate, në Kosovë kishte edhe vizita të niveleve të larta, ndërkombëtare, duke kërkuar që situata të shtensionohet, e duke “garantuar” qytetarët për siguri.Por, pikërisht këtë të hënë duket se tre krerët e shtetit, momentalisht ndodhen jashtë “brishtësisë së situatës në terren”. Pra, jashtë vendit. Një gjë e tillë ndalohet me Ligjin për Proktokollin e Shtetit.
Ku janë liderët e shtetit?
Kurti – Mbretëria e Bashkuar: Kryeministri i vendit Albin Kurti ditën e dielë njoftoi se ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë orëve të mbrëmjes të së Hënës, Zyra e Kryeministrit lëshoi komunikatë ku njoftoi se Kurti po merr pjesë, në event.
“Në kuadër të Konferencës së Partisë Laburiste që po mbahet në Liverpool, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në drekën e organizuar me partitë simotra, ishte i ftuar si folës kryesor.Ai u shpreh i nderuar për mundësinë që t’i drejtohet me një fjalim pjesëmarrësve në konferencë.Ndikimi i Partisë Laburiste në fatin e Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe i madh, deklaroi kryeministri në krye të herës.” – thuhet ndër të tjera aty.Osmani – Kroaci: Të hënën mbrëmatelevizioni publik i Kosovës ishte live nga Zagrebi i Kroacisë, ku u bë e ditur se Presidentja do të qëndroj atje edhe të mërkurën, për takime të tjera. Osmani pritet që takimet t’i zhvilloj në Zagreb e Rjekë.
Konjufca – Gjermani: Edhe Këshilltari i Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Ilir Kërqeli, njoftoi se Kryeparlamentari ka udhëtuar drejt Gjermanisë ku pritet t’i zhvilloj, shtatë takime.
“Kryetari Konjufca bashkë me kabinetin e tij, ka udhëtuar në Gjermani për vizitë zyrtare.
1.Takim me Presidenten e Bundestagut – Barbal Bas,
2.Takim me Michael Roth – Kryesues i Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestag,
3.Takim me Manuel Sarrazin i dërguar i posaqëm i Qeverisë Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perendimor,
4.Takim me Dr. Anton Hofreiter – Kryesues i Komisionit për Bashkimin Evropian,
5.Takim me Dr. Marie-Agnes Strack-Zimmermann, Kryesuese e Komisionit per Politikë të Mbrojtjes,
6. Takim me Martin Schulz, President i FES dhe ish-Kryetar i Parlamentit Evropian,
7. Takim me Peter Beyer – deputet i CDU-së dhe përgjegjës për Ballkanin Perendimor në CDU.” – ka shkruar Kërqeli.
Shkelje ligjore?
Në bazë të njoftimeve zyrtare, i bie që tre krerët e shtetit janë jsahtë Kosovës.Ligji për Protokollin e Shtetit, konkretisht neni 19 e parasheh një situatë të tillë. Aty thuhet, se tre krerët e shtetit nuk duhet të jenë në të njejtën kohë jashtë vendit.“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.” – thuhet aty.
S’është hera e parë?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ditën e premte të 18 nëntorit 2022, nuk kishin qenë në shtetin që drejtojnë. Ata po zhvillonin udhëtime jashtë vendit.Presidenca e Kosovës përmes një njoftimit zyrtar pati bërë të ditur se Osmani me ftesë të Presidentit të Tunizisë, Kais Saied dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ka udhëtuar për në Djerba të Tunizisë, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e krerëve të shteteve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.Ndërsa, gjatë ditës së enjte, kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në Estoni, ku të premten ka takuar homologen e tij estoneze Kaja Kallas për një takim bilateral.Nga ana tjetër kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka udhëtuar në Gjermani, ku ka mbajtur takim me bashkatdhetarët.