Këtë të diel, 5 tetor, Siria pritet të mbajë zgjedhjet e para parlamentare që prej rrëzimit të Bashar al-Assad-it, dhjetë muaj më parë, pas një lufte civile 13-vjeçare që shkaktoi qindra mijëra viktima dhe miliona të zhvendosur. Procesi zgjedhor po zhvillohet në një klimë pasigurie dhe me shqetësime të theksuara për përjashtimin e grupeve opozitare dhe mungesën e një përfaqësimi të gjerë demokratik.
Zgjedhjet nuk do të jenë të drejtpërdrejta: dy të tretat e 210 vendeve në Kuvendin Popullor do të përzgjidhen nga kolegje elektorale, ndërsa 70 vendet e mbetura do të emërohen nga presidenti i përkohshëm, Ahmed al-Sharaa. Kjo formulë është kritikuar nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat paralajmërojnë se një parlament i tillë nuk do të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve dhe do të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv.
Zgjedhjet janë shtyrë në tri provinca, Raqqa, Hassakeh dhe Suweida për shkak të gjendjes së pasigurisë. Dy të parat janë nën kontrollin e forcave kurde, ndërsa në Suweida tensionet me popullsinë druze janë rritur pas përleshjeve sektare në korrik, ku u raportuan mbi 1,000 viktima.
Kritikët thonë se përjashtimi i kundërshtarëve politikë, përfshirë simpatizantët e regjimit të mëparshëm, grupeve të shpallura “terroriste”, si dhe çdo zëri që kërkon ndarje apo ndërhyrje të huaj, e bën procesin jodemokratik. Edhe pse është kërkuar që 20% e anëtarëve të kolegjeve elektorale të jenë gra, nuk ka kuota të detyrueshme për përfaqësimin gjinor apo etnik në parlamentin e ardhshëm.
Presidenti Sharaa ka justifikuar formatin e zgjedhjeve si një zgjidhje e përkohshme gjatë tranzicionit politik, duke përmendur mungesën e dokumenteve dhe faktin se një pjesë e madhe e popullsisë ndodhet ende jashtë vendit si refugjatë.
Megjithatë, shumë banorë dhe figura të opozitës e shohin procesin si një formalitet të kontrolluar nga lart, që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërsa Siria përpiqet të ndërtojë institucione të reja, zgjedhjet e së dielës shihen nga shumëkush si një test për sinqeritetin e reformave të premtuara.