1.8 C
New York
Tuesday, December 2, 2025

Buy now

SIPRI: Firmat e armëve përfitojnë shumë nga lufta në Ukrainë

- Advertisement -

Firmat e armatimeve nuk kanë fituar kurrë kaq shumë sa në vitin 2024. Kështë thuhet në raportin e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) lidhur me 100 kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve në botë. Vitin e kaluar të ardhurat e tyre nga shitja e armëve dhe e shërbimeve ushtarake arritën në 679 miliardë dollarë.

Kjo përbën një rritje prej 5.9 përqind krahasuar me vitin 2023. Edhe atëherë përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike dhe mbi të gjitha lufta në Ukrainë çuan në rritjen e kërkesës për armë. Ky trend u përshpejtua më tej në vitin 2024.

Një ushtar mbi një tank prodhuar në SHBA Një ushtar mbi një tank prodhuar në SHBA

Pra, a është lufta në Ukrainë e mirë për biznesin? “Për sektorin e mbrojtjes, padyshim”, tha për DW Nan Tian një nga autorët e raportit të SIPRI-t. “Gjatë dy viteve të fundit, këto kompani armësh kanë rritur ndjeshëm të ardhurat e tyre.”  Kanë zhvilluar pajisje të reja ushtarake, kanë rimbushur rezervat dhe pajisjet e shkatërruara janë zëvendësuar.

Kompanitë gjermane me fitime veçanërisht të larta

Nga 100 kompanitë e listuara, 39 syreshh e kanë qendrën në SHBA që është padyshim vendi më i rëndësishëm për industrinë e prodhimit të armëve. Këto 39 kompani përfitojnë thuajse gjysmën e të ardhurave botërore nga shitja e armëve. Megjithatë rritja e tyre prej 3.8 përqind është ende relativisht modeste. Kurse 26 kompanitë evropiane (pa Rusinë) shënuan së bashku një rritje prej 13 përqind të të ardhurave.

Kompanitë gjermane arritën madje një rritje prej 36 përqind. “Kjo lidhet thuajse tërësisht me pushtimin rus të Ukrainës”, thotë Nan Tian. “Pati një kërkesë më të lartë nga forcat e armatosura gjermane Bundeswehr. Kompani si Rheinmetall dhe Diehl prodhuan tanke, transportues të blinduar për skuadra ushtarake dhe municione për të zëvendësuar ato që u dërguan në Ukrainë si ndihmë ushtarake, por edhe për të rritur rezervat e tyre.”

Ekonomia ruse e luftës sfidon sanksionet

Rusia renditet më vete në raportin e SIPRI-t. Dhe nuk është për t’u habitur që prodhuesit rusë të armëve përjetuan një rritje veçanërisht të fortë. Të ardhurat e tyre nga eksportet ranë për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, por kërkesa e brendshme pati një rritje të ndjeshme dhe i kompensoi në masë të gjerë humbjet.

Por Rusia është një rast i veçantë, thekson Nan Tian. “Vendi i ka ndryshuar plotësisht prioritetet e tij. Gjatë tri viteve të fundit, ekonomia dhe prodhimi i saj janë transformuar në një ekonomi lufte.” Të gjitha burimet janë kanalizuar tek lufta. Për shembull, midis viteve 2022 dhe 2024 sipas raportit të SIPRI-t, Rusia e rriti prodhimin e predhave të artilerisë 152 mm me 420 përqind: nga 250,000 në 1.3 milion.

Nan Tian beson se transformimi i ekonomisë ruse ka shkuar aq larg sa, në rast të një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë, do të ishte e vështirë të kthehej në një ekonomi jo lufte.

Të ngjashme

Të fundit