Në një njoftim në Facebook, thonë se institucionet përgjegjëse nuk po ndërmarrin asnjë veprim konkret për zgjidhjen e kësaj krize.

Ata tutje kërkojnë nga Prokuroria e Shtetit dhe Gjykata që të veprojnë me urgjencë për të adresuar këtë situatë.

 

Reagim Publik:

Dy muaj nga bllokimi i llogarive të Telekomit të Kosovës

Janë bërë plot dy muaj që llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar, duke krijuar një situatë të papranueshme dhe të rëndë për punëtorët dhe vetë operimin e kësaj kompanie jetike për vendin.

Punëtorët e Telekomit vazhdojnë të jenë pa paga,çka ka shkaktuar vështirësi të mëdha për familjet e tyre. Ndërkohë, aktiviteti operativ i kompanisë është thellësisht i vështirësuar, duke rrezikuar shërbimet bazë.

Është e papranueshme që, përkundër rëndësisë strategjike të Telekomit të Kosovës, institucionet përgjegjëse nuk po ndërmarrin asnjë veprim konkret për zgjidhjen e kësaj krize. Heshtja dhe mosveprimi janë tregues të qartë të një papërgjegjshmërie alarmante ndaj një prej ndërmarrjeve publike më të rëndësishme të vendit.

Ne kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe Gjykata që të veprojnë me urgjencë për të adresuar këtë situatë. Hetimi dhe trajtimi i kësaj çështjeje duhet të jetë prioritet absolut për të zbardhur çdo shkelje ligjore që mund të ketë çuar në këtë bllokim dhe për të garantuar drejtësi për punëtorët .Vendimet e gjykatave duhet të merren me efikasitet maksimal, duke pasur parasysh dëmin e madh që kjo situatë po shkakton.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të reagojnë menjëherë dhe të ndërmarrin masa konkrete për të zhbllokuar llogaritë e Telekomit. Kjo është e vetmja rrugë për të garantuar të drejtat e punëtorëve, për të rivendosur stabilitetin operativ dhe për të mbrojtur interesin publik.

Mos zgjidhja e kësaj situate është bërë e padurueshme!