10.7 C
New York
Friday, December 19, 2025

Buy now

Sindikata e RTK ua rikujton partive përgjegjësitë ligjore ndaj medium publik

- Advertisement -

Në prag të zgjedhjeve nacionale, Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës – SPERTK u drejtohet partive politike që synojnë përfaqësim në Legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t’ua rikujtuar përgjegjësitë institucionale dhe ligjore ndaj transmetuesit publik.

SPERTK rikujton se Ligji i ri për RTK-në ende nuk është miratuar, ndërsa çështjet thelbësore që lidhen me:
• rregullimin e pronës së RTK-së,
• sigurimin e financimit të pavarur dhe të qëndrueshëm,
mbesin të hapura dhe kërkojnë adresim serioz nga legjislatura e ardhshme.

Deri në miratimin e një zgjidhjeje të re ligjore, vazhdon të zbatohet forma aktuale e financimit, sipas së cilës 0.7% e buxhetit nacional ndahet për RTK-në, si bazë për funksionimin e transmetuesit publik.

SPERTK vlerëson se është paralajmëruar aplikimi i pagesës së 13-të për punëtorët e sektorit publik në Republikën e Kosovës, dhe thekson se kjo e drejtë duhet patjetër të aplikohet edhe për punëtorët e RTK-së, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta.

SPERTK u bën thirrje partive politike dhe institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet që:
• ta kenë RTK-në në vëmendje prioritare,
• të angazhohen për miratimin e një ligji funksional për RTK-në,
• të sigurojnë rritjen e buxhetit të RTK-së,
• të mundësojnë rritjen e pagave për punëtorët e RTK-së,
• si dhe aplikimin e pagesës së 13-të, në përputhje me praktikat që po paralajmërohen për të gjithë sektorin publik.

SPERTK njofton se, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sindikata do të vazhdojë me aksione sindikale ligjore, për të cilat pas zgjedhjeve do të informojë publikun, dhe do të veprojë me urgjencë të plotë, në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe interesit publik.

Radiotelevizioni i Kosovës është pasuri publike dhe zë i qytetarëve, ndërsa përgjegjësia për funksionimin dhe zhvillimin e tij mbetet obligim i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit