Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar me shqetësim lidhur me mënyrën se si po raportohen rastet që përfshijnë pjesëtarët e Policisë, sidomos në raste tragjike apo incidente që janë ende nën hetim. Në një deklaratë publike, Sindikata thekson se ndjen obligim moral dhe institucional të reagojë për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e pjesëtarëve të saj.
Sindikata ka dënuar ashpër deklaratën e gazetarit Branislav Krstiç, i cili në një medium vendor kishte mohuar vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës më 24 shtator 2023, gjatë një sulmi terrorist në Veri të vendit. Sipas Sindikatës, ky qëndrim përbën “fyerje të rëndë ndaj kujtimit të tij dhe ndaj sakrificës së heroit”.
Po ashtu, Sindikata ka dënuar përpjekjet për ta përfshirë rreshterin Muhamet Lika në teori konspirative lidhur me vrasjen e tij. Lika është vlerësuar si luftëtar i lirisë, pjesëtar i dalluar i Policisë së Kosovës dhe anëtar i përkushtuar i Sindikatës. “Këto përpjekje janë të papranueshme dhe përbëjnë tentativë për devijim të hetimeve dhe njollosjen e figurës së tij”, thuhet në deklaratë.
Një tjetër pikë shqetësuese që ngrihet nga Sindikata është publikimi i pamatur i emrave dhe fotografive të pjesëtarëve të Policisë në media dhe rrjete sociale, pa u përmbyllur proceset hetimore. “Kur një zyrtar policor më pas shpallet i pafajshëm, nuk ka reagim të njëjtë publik për të pastruar emrin e tij. Kjo ka krijuar ndjesi padrejtësie dhe pasigurie tek zyrtarët tanë”, thuhet më tej.
Reagimi i plotë:
Sindikata e Policisë së Kosovës, me shqetësim të vazhdueshëm, ka ndjekur praktikat e fundit të raportimit mediatik dhe publik në lidhje me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sidomos në raste tragjike ose incidente që janë ende nën hetim. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të zyrtarëve të rendit, ndjejmë obligim të reagojmë me përgjegjësi dhe maturi.
Së pari, dëshirojmë të theksojmë rastin e Rreshterit Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi terrorist në Veri të vendit. Deklarimi i fundit në një medium publik të vendit nga gazetari Branislav Krstiç, që mohon rënien e heroit, është i papranueshëm dhe përbën fyerje të rëndë ndaj kujtimit të tij dhe ndaj sakrificës së heroit, rreshterit Afrim Bunjaku.
Po ashtu, dëshirojmë të nënvizojmë figurën e Rreshterit Muhamet Lika – luftëtar i lirisë, pjesëtar i dalluar i Policisë së Kosovës dhe anëtar i përkushtuar i Sindikatës sonë – i cili u vra në krye të detyrës para pak kohësh. Lika, që nga radhët e UÇK-së e deri te pozita e tij në Policinë e Kosovës, ka qenë shembull i përkushtimit dhe profesionalizmit. Tentativa e fundit për ta përfshirë në teori konspirative rreth vrasjes së tij përbën përpjekje të papranueshme për devijimin e hetimeve dhe njollosjen e figurës së tij dhe të institucionit që ai i shërbeu me nder.
Një tjetër shqetësim serioz që duam ta ngrisim si Sindikatë e Policisë së Kosovës është publikimi i menjëhershëm në media dhe rrjete sociale i emrave dhe fotografive të pjesëtarëve të Policisë të përfshirë në ndonjë rast, ndërkohë që proceset hetimore nuk kanë përfunduar. Më pas, kur zyrtari policor shpallet i pafajshëm, mungon një reagim i njëjtë publik për ta pastruar emrin e tij. Kjo ka shkaktuar ndjesi padrejtësie dhe pasigurie te shumë pjesëtarë policorë, të cilët ndihen të ekspozuar ndaj bullizmit dhe gjykimeve të menjëhershme publike.
• Nuk është qëllimi ynë të kufizojmë lirinë e mediave, të cilat kanë rol kyç në një shoqëri demokratike, por u bëjmë thirrje për përgjegjësi, etikë dhe kujdes në raportim, sidomos kur bëhet fjalë për figura të sigurisë që ende nuk kanë kaluar nëpër një proces të plotë hetimor apo gjyqësor.
• Kërkojmë që, nëse ndonjë zyrtar shfaqet në media pa të drejtë dhe më pas shpallet i pafajshëm, të bëhet demant publik dhe korrekt, me të njëjtin intensitet me të cilin është dhënë lajmi fillestar.
Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të çdo pjesëtari të saj. Ne jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim me të gjitha mediat që veprojnë me profesionalizëm dhe objektivitet.