Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani pas miratimit të rezolutës për të drejtat etnike e kombëtare të shqiptarëve në Luginë nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara , tha se nga Capitol Hill në Uashington, u dëgjua zëri i Luginës së Preshevës, qartë, zyrtarisht e fuqishëm.
“E iniciuar nga Kongresisti Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë. Me përkrahje dypartiake. Me mesazh të qartë për Beogradin. Kjo është ditë e rëndësishme për shqiptarët e Luginës. Dhe sinjal se padrejtësia nuk është e përjetshme. Një betejë e gjatë, me durim, këmbëngulje dhe besim”, ka shkruar ajo.
Sinani tha se sot, SHBA kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Me Joe dhe Shirley DioGuardi, Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe komunitetin tonë të jashtëzakonshëm, veçanërisht në Texas, përmes Albanians For America. Sot, SHBA kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, jo me fjalë, me vepra. Me aleancën me Amerikën zëri ynë u dëgjua, puna jonë po shihet. Nuk ndalemi. Nuk dorëzohemi. Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë popullin shqiptar”, ka shkruar Sinani pas miratimit të rezolutës.
Kongresmeni amerikan Keith Self që prezantoi Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, theksoi nevojën për llogaridhënie dhe mbikëqyrje ndaj trajtimit që Serbia u bën pakicave të saj etnike.
Ai ka theksuar se, përveç luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë dhe se tensionet ndërmjet qeverisë serbe dhe pakicës shqiptare vazhdojnë të jenë një problem i madh.






