17 C
New York
Monday, October 6, 2025

Buy now

‘Simpatizanti i Kurtit’ e stermbush BQK-ne me punëtorë, afro 40 për dy vite dhe kërkon objekt me qira për ti vendosur

- Advertisement -

 

Rritja masive e stafit në BQK pa konkurse të hapura dhe mungesë transparence ka ngritur dyshime mbi meritokracinë dhe menaxhimin e burimeve njerëzore; Insajderi ka zbuluar se gjatë dy viteve të fundit, Banka Qendrore e Kosovës ka rekrutuar mbi 40 punonjës, përfshirë këshilltarë dhe persona të avancuar brenda institucionit, shpesh me kontrata të nënshkruara nga Guvernatori Ahmet Ismaili, pa transparencë të plotë në konkurse, ndërsa pavarësia kushtetuese e BQK-së nuk e çliron nga parimet e administratës publike dhe Ligji për punësimet, duke lënë hapësirë për dyshime mbi mënyrën se si janë përzgjedhur dhe avancuar punonjësit, ndërsa kërkesat e mediave për qasje në dokumente mbeten të papërmbushura.

E mbani mend atë moment viral në stadium, kur një person nisi të kërcente pa frena sapo pa Kryeministrin Albin Kurti duke e bërë të njëjtën gjë? Ai nuk ishte thjesht një tifoz i zakonshëm – ishte vetë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Por ky “kërcim i rastësishëm” duket se nuk ishte vetëm një shaka e momenteve sportive. Ai pasqyron një trend të qartë brenda BQK-së: një rritje e shpejtë e numrit të punonjësve, shpesh pa konkurrse të hapura dhe me mungesë transparente në procedura. Sfida nuk është vetëm në numra, por në mënyrën se si po menaxhohet institucioni – mënyrë që lë shumë hapësira për dyshime mbi standardet e rekrutimit, meritokracinë dhe mënyrën se si vendosen burimet njerëzore në një nga institucionet më të rëndësishme financiare të vendit.

Rritje masive e stafit dhe mungesë transparence

Gazeta Insajderi ka siguruar listën e punonjësve të rekrutuar në BQK gjatë dy viteve të fundit – mbi 40 persona. Pyetjet tona drejtuar BQK-së përfshinin mënyrën e rekrutimeve, komisionet që vlerësojnë kandidatët, vendimet e Guvernatorit për kontrata dhe arsyetimin ligjor pas këtyre vendimeve.

BQK-ja, në përgjigjen e saj, argumenton se nuk mund të ndajë dokumentacionin e detajuar të konkurseve për punësime, duke u mbështetur në Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (Neni 52), sipas të cilit BQK-ja ka autonomi për të menaxhuar marrëdhëniet e punës dhe për të angazhuar stafin e nevojshëm për të përmbushur mandatin ligjor. Sipas tyre, procedurat e rekrutimit dhe vendimet për punësime janë të dokumentuara brenda institucionit dhe të qasshme vetëm sipas politikave të brendshme, për të ruajtur konfidencialitetin e të dhënave personale.

Megjithatë, edhe pse BQK-ja është një institucion kushtetues i pavarur, sipas Nenit 116 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ajo nuk mund t’i shmanget ligjeve të tjera të vendit dhe parimeve të përgjithshme të administratës publike, veçanërisht në aspektin e meritokracisë dhe transparencës në punësim. Standarde të ngjashme vlenin për çdo institucion publik, dhe qasja që fsheh detaje të rekrutimeve bie ndesh me parimet e qarta të kontrollit publik dhe llogaridhënies.

 

Zgjatje kontratash dhe punonjës të rinj

Disa nga punonjësit e rekrutuar gjatë dy viteve të fundit kanë marrë kontrata të nënshkruara nga Guvernatori Ahmet Ismaili, e disa të tjerë në procese tjera rekrutimi, që BQK-ja nuk i ka ndarë me Insajderin, edhe pse i janë kërkuar.

Lista e siguruar nga Insajderi përfshirë këta emra: Herolind Lahu, Adelina Jakupi, Rinesa Bislmi, Imer Shevelli, Mërgim Hajrizi, Blerina Surdulli Gashi, Argjend Rexhaj, Agnesa Gashi Zeka, Dafina Hasani, Durime Haklaj, Gresa Baliu, Tanita Krasniqi, Lule Bahtiri, Agron Ramadani, Ertan Iliyaz, Besant Sahiti, Diellza Musa, Valmire Morina Tunaj, Naim Zeqiri, Shqipe Qerkini Grainca, Violla Begolli, Arbenita Demaku, Shkurta Obrazhda, Festa Kusari, Liridon Xërxa, Shpetim Manaj, Vlora Goqiqi Zeka, Blerta Hyseni, Albun Lufi, Fortesa Statovci, Zana Isufi, Elona Leci, Blerta Foniqi dhe Suzan Dervari.

Këshilltarët dhe avancimet

Disa persona janë punësuar në rolet e këshilltarëve të lartë në BQK, përfshirë Pëllumb Çollaku dhe Albert Spahiu. Disa punonjës që ishin tashmë pjesë e BQK-së janë avancuar në pozita më të larta, duke përfituar kontrata dhe ndryshime në grada. Këtu përfshihen Loreta Smajli Saraci dhe Blerina Haziri.

Transparenca e kërkuar nga Insajderi dhe refuzimi i BQK-së

Insajderi kishte kërkuar qasje të plotë në dokumentet e konkurseve dhe arsyetimin e BQK-së për mënyrën se si janë bërë rekrutimet. Ligji për Qasje në Dokumente Publike garanton të drejtën e qytetarëve dhe mediave për të pasur qasje në dokumente institucionale, përveç rasteve kur përjashtimet parashikohen ligjërisht.

Megjithatë, BQK-ja nuk i ka dhënë Insajderit qasje, duke argumentuar se procedurat dhe dokumentacioni për punësimet janë pjesë e autonomisë ligjore të institucionit dhe përfshijnë të dhëna personale të mbrojtura, të cilat nuk mund të bëhen publike sipas politikave të brendshme të BQK-së.

Kërkesa për objekt me qira

Derisa BQK-ja ka kryer këtë “operacion punësimesh”, del që institucioni po kërkon tash edhe një objekt të ri me qira për të vendosur pjesën e stafit të ri.

Burime nga brenda institucionit tregojnë se kërkesa për hapësira shtesë lidhet drejtpërdrejt me rritjen e numrit të punonjësve gjatë dy viteve të fundit dhe nevojën për zyra shtesë për këshilltarët dhe departamentet e avancuara.

Gazeta Insajderi ka pyetur BQK-në se pse po kërkohet ky objekt dhe për kriteret e zgjedhjes së tij. Në përgjigjen e saj, BQK-ja ka thënë se “procesi i kërkimit dhe marrëveshjes për objekt me qira është duke u zhvilluar sipas nevojave institucionale dhe standardeve ligjore, duke garantuar që hapësirat e reja të plotësojnë kërkesat funksionale dhe sigurie për stafin dhe dokumentacionin e institucionit”, duke shmangur detaje të mëtejshme për lokacionin ose procedurat e ofertave publike.

Të ngjashme

Të fundit