17 C
New York
Monday, June 16, 2025

Buy now

Siguria rrugore: Kaos në sinjalizim dhe përgatitje e dobët e ngasësve

- Advertisement -
Eksperti gjyqësor i komunikacionit, Visar Baxhuku, thotë se aksidentet me fatalitet në Kosovë janë pasojë e disa faktorëve – nga sinjalizimi i çrregullt dhe infrastruktura e papërshtatshme deri te mungesa e përgatitjes së drejtuesve të automjeteve.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se përmirësimi i sigurisë kërkon qasje të strukturuar dhe jo vetëm masa ndëshkuese.

Polica e Kosovës raporton se, së voni, brenda një periudhe të shkurtër kohore, 5 persona kanë humbur jetën në aksidentet në komunikacion.

Polica raporton, po ashtu, se brenda një dite shqipton mbi 2.000 gjoba për kundërvajtje.

Mesatarisht, brenda një dite në Kosovë ndodhin mbi 50 aksidente, sipas policisë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Baxhuku, sipas raporteve të Policisë së Kosovës, vërehet se, në muajt e fundit, është rritur numri i aksidenteve fatale. Sipas mendimit tuaj, pse po ndodhin ato?

Visar Baxhuku: Për të dhënë një përgjigje të saktë lidhur me shkakun e aksidenteve, duhet parë të gjithë komponentët që ndikojnë në ekosistemin automjet – njeri dhe rrugë.

Nëse i krahasojmë vendet ku ndodhin dhe shpeshtësinë, shohim se rrugët e karakterit të lartë, me shpejtësi të lartë, ku lejohet zhvillimi, janë vend i shumicës së aksidenteve me fatalitet. Pra, rrugët magjistrale dhe autostradat.

Në aspektin e shpeshtësisë së ndodhjes, ato nuk ndodhin në mënyrë lineare… por në periudha të caktuara ndodhin me frekuencë më të ulët, në periudha të caktuara me frekuencë më të lartë. Pothuajse çdo vit, numri është rreth 100.

Në përgjithësi, shkaku kryesor i aksidenteve me fatalitet është mospërshtatja e shpejtësisë, kushteve dhe rrethanave të rrugës me qarkullimin, do të thotë me pjesëmarrësit në qarkullim.

Në këtë ekosistem, faktori njeri bart peshën kryesore dhe është shkaku. Duke përdorur mjetin nëpër një infrastrukturë, shkakton edhe aksidentin. Prandaj, në këto rrethana, shkaku kryesor janë veprimet e parregullta të drejtuesit.

Radio Evropa e Lirë: A shqiptohen sa duhet dhe siç duhet gjoba për shkelësit e rregullave? A lidhen këto aksidente edhe me këtë çështje?

Visar Baxhuku: Në aspektin e masave, pjesa e gjobave hyn në grupin e masave represive ndaj përdoruesve të rrugës apo përdoruesve të mjeteve dhe si e tillë nuk është se jep rezultatin kryesor.

Shkencërisht është e vërtetuar që kjo masë – përmes gjobave – parandalon 8 deri në 10% – në rastet apo rrethanat më të mira – të numrit të aksidenteve të përgjithshme, e jo vetëm këto me fatalitet.

Nëse e krahasojmë me numrin e popullatës, për çdo 1.000 banorë në Kosovë sot kemi 259 gjoba. Kurse, mesatarja në vendet evropiane është 94 gjoba për 1.000 banorë. Pra, te ne, afërsisht, është trefishi i vendeve evropiane – çka do të thotë se kjo masë e ka arritur qëllimin e vet dhe nuk mund të pritet përmirësim tjetër, përveçse kostoja që e bartin përdoruesit e mjeteve.

Radio Evropa e Lirë: A është edhe infrastruktura një prej faktorëve të këtyre aksidenteve?

Visar Baxhuku: Shpeshherë, infrastruktura është pjesë apo shkak determinues, kryesor i aksidenteve. Nuk është infrastruktura shkak i aksidentit vetëm kur rruga është e dëmtuar, kur ka gropa, prerje apo mungesë barrierash.

Infrastruktura është shkak i aksidenteve edhe kur nuk kemi kapacitet të plotë, të mjaftueshëm për lëvizje, kur kyçjet, shkyçjet nuk janë të rregulluara mirë, dukshmëria, pjesa e planifikimeve të kryqëzimeve të kategorive të ndryshme nuk janë të rregulluara, kur mungon sinjalizimi…

Këto, pra, bëjnë pjesë tek infrastruktura, që edhe në kushtet kur është e mirë, bëhet shkak i aksidentit. Ka plot raste që ndodhin si rezultat i kësaj, por, në fund, në analizë i atribuohen veprimit të drejtuesve.

Radio Evropa e Lirë: A janë ngasësit mjaftueshëm të përgatitur për të qenë pjesë e komunikacionit të rrugëve lokale, rajonale dhe autostradave?

Visar Baxhuku: Përgatitja e ngasësve, drejtuesve të automjeteve lidhet vetëm me pjesën teorike në auto-shkollë dhe pjesën e testimeve teorike dhe praktike në institucione zyrtare, që aktualisht është Ministria e Infrastrukturës.

Në parim, përgatitja do të duhet të fillojë në moshën nëntëvjeçare, kur personi bëhet i aftë për të marrë pjesë në transport publik, në lëvizje në rrugë, në mënyrë të pavarur.

Aktualisht, pjesa e përgatitjes së drejtuesve lë për të dëshiruar. Kjo të bën të kuptosh se ka vend për përmirësim. Por, se çfarë mase dhe çfarë përmirësimi, duhet studiuar. Nuk mund të vendosim masa apriori. Nëse ka ngecje në pjesën teorike, të gjendet një formë. Ka ngecje në praktikë, të gjendet një formë, një masë e studiuar, që ka dhënë rezultat.

Nëpër këto kategori të rrugëve, kalimi i shpejtësisë vetëm me 20% rrit gjasat për përfshirje në aksident.

Radio Evropa e Lirë: A ka raste ku mund të ketë shenja komunikacioni që nuk janë të përshtatshme me atë rrugë apo vend, dhe pastaj ndodhin aksidente?

Visar Baxhuku: Te pjesa e sinjalizimit është një katrahurë. Janë rrugë të kategorisë më të lartë, si autostrada “Ibrahim Rugova”, ku ka pjesë që nuk kanë sinjalizim horizontal, e që është një prej parakushteve për të lëvizur në mënyrë të rregullt.

Pastaj, kemi konfuzionin e shenjave, ku për drejtime të ndryshme marrim informacione të ndryshme, apo edhe mungesa shenjash. Çdo tre muaj, nëse nuk përsëritet 70% e sinjalizimit horizontal, ai fshihet.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë strategji institucionale për të parandaluar aksidentet, sidomos këto të rëndat?

Visar Baxhuku: Ka qenë një strategji sektoriale e Ministrisë së Infrastrukturës, e punuar në vitin 2015, për një periudhë dhjetëvjeçare, deri më 2025. Aty ka pasuar kapituj të veçantë për sigurinë në rrugë dhe disa paragrafë, ku thuhej se do të krijoheshin masa. Por, ky dokument ka skaduar dhe nuk ka asgjë në horizont.

Ka mungesë të institucionit. Sot nuk kemi një agjenci qeveritare, që merret kryesisht me sigurinë rrugore. Kjo agjenci do të ndihmonte të ulte numrin e aksidenteve, do t’i dokumentonte saktë, do t’i analizonte saktë, do të nxirrte masa të sakta, do të bënte rekomandime të sakta dhe, pastaj, do të kalohej tek institucionet zbatuese. Në këtë rast, Policia e Kosovës është duke e mbajtur barrën./Radio Evropa e Lirë/

Të ngjashme

Të fundit