Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se ka filluar auditimin e performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë” nga klasa VI-XII për periudhën 2022-2025.
Sipas një njoftimi të ZKA-së, auditimi synon të vlerësojë nëse shkollat publike në Kosovë ofrojnë ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për nxënësit si dhe nëse institucionet përgjegjëse kanë vendosur dhe zbatojnë mekanizma efektivë për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e incidenteve të dhunës në shkolla.
“Fushëveprim i këtij auditimi do të përfshijë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Inspektoratin e Arsimit si dhe Drejtoritë e Arsimit në komunat e Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës. Gjithashtu, në fushëveprim mund të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe drejtoritë e saj rajonale, si dhe Qendrat për Punë Sociale të tri komunave që i nënshtrohen këtij auditimi”, thuhet në njoftim.






