Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas është takuar sot me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga KFOR-i, thuhet se të pranishëm në takim ishin edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë dhe shefi i zyrës së BE-së.
Në takim është diskutuar për përpjekjet për siguri në vend, e po ashtu edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi.
“Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi një sërë temash, duke përfshirë aktivitetet e KFOR-it nën mandatin e tij dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për sigurinë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjithë njerëzve.” – thuhet në njoftim.
Kujtojmë që për shkak të sulmit në Banjskë, NATO rriti praninë në Kosovë duke dërguar trupa shtesë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin.
Kosova ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i vendosë Serbisë masa ndëshkuese, ndërkaq në bllokun evropian kanë thënë se po presin që të përfundojnë hetimet dhe më pas do të vendosin për masat dhe hapat eventualë.