Në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, gjenden edhe kopjet e dy gazetave “Bujku” dhe “Koha Ditore”.
Në ballinën e 6 marsit të vitit 1998 në “Koha Ditore” raportohej për një sulm të përmasave të terrorit në Drenicë.
Njësia speciale e Serbisë kishte zbarkuar në Prekaz, ndonëse lufta zhvillohej në shumë fshatra, banorët, siç shkruante gazeta, ia kishin mësyrë maleve e strehëve të sigurta.
Por familja e Komandantit Legjendar kishte vendosur të qëndronte brenda kullës.
“Kemi parë duke u djegur shtëpitë e Jasharajve, të shtënat me armë artilerie nuk ndaleshin. I vërenim granatat që hidheshin mbi këtë lagje. Shtëpitë ishin rrënuar dhe nga dilte vetëm tym e zjarr. Banorët janë strehuar në male dhe shihej që nuk kishin armë. Siç na thanë ata, familja e Shaban Jasharit nuk e kishte braktisur fare shtëpinë.”
Në faqet e gazetës të asaj dite ishte lajmi për vrasjes së 20 shqiptarëve dhe dy policëve duke iu referuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Autoritet në Serbi njoftuan edhe për vrasjen e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Këtë lajm të rëndë për shqiptarët, e kishte në ballinën e saj edhe e përditshmja “Bujku”
Shërbimi Informativ i Serbisë bëri të ditur dje se në luftimet e pardjeshme dhe të djeshme në Drenicë është vrarë Adem Jashari, i cilësuar prej tyre si udhëheqës i “bërthamës terroriste”.
Informacionet fillestare të ditëve të para të sulmit dilnin nga shërbimet informative serbe, ndërsa verifikimi bëhej disa ditë më vonë.
Mirëpo, ky verifikim do ta shtonte edhe më shumë dhimbjen e tronditjen tek shqiptarët, kur mësonin se okupatori serb në Prekaz kishte masakruar edhe 12 fëmijë e 14 gra.
“Nga morgu i Prishtinës kanë arritur në Skenderaj 48 viktimat e para të okupatorit serb, 44 nga të cilat vetëm të familjes Jasharaj. Në mesin e këtyre viktimave, 12 fëmijë të moshës 4-14 vjeç, si dhe 14 gra dhe vajza të reja. Viktimat e masakruara vështirë identifikohen, për shkak të masakrimit të tyre; kafka të thyera, pa gjymtyrë të tëra të trupit, madhe tri kufoma janë tërësisht të karbonizuara.”
Enigmatike përveç identifikimit të disa trupave, mbetej edhe mënyra se nga kush dhe si do të varroseshin ata.
“Mbrëmë, më 8 mars, rreth orës 23:30 minuta, një inspektor i Policisë e njoftoi Adem Metën, sekretar i Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Skenderaj se kishin sjellë dy kamionë me kufomat e viktimave të sulmit ushtarak-policor të Serbisë në Prekaz të Poshtëm dhe të fshatrave tjera të Drenicës. “Bëni çfarë të doni me këto kufoma, ne punën tonë e kemi kryer.”- i kishin thënë atij”.
Shumë prej mijëra policëve që morën pjesë në këtë masakër, vazhduan të qëndronin në Drenicë, duke bllokuar edhe rrugët prej Prishtinës deri në Skenderaj.
Ndërkaq në shumë faqe tjera të gazetave, raportohej se fuqitë ndërkombëtare as që e kishin në plan të merrnin masa ndaj Serbisë, përkundër thirrjeve të kryetarit të Kosovës e të tjerëve.
Që nga ajo kohë, përmbajtja e dy gazetave ditore ka qenë me lajme dhe kronika që raportonin për krimet që serbët kryenin në Kosovë.