Mëngjeset me shi dhe qiell të mbuluar shpesh na lënë pa energji dhe motivim, veçanërisht në ditët e punës kur na duhet përqendrim dhe angazhim maksimal. Megjithatë, ka disa mënyra të thjeshta për ta nisur ditën me pozitivitet, pavarësisht motit të zymtë jashtë.
Së pari, ndriçimi artificial mund të ndihmojë shumë. Hapja e dritareve menjëherë pas zgjimit dhe ndezja e dritave të shtëpisë sinjalizojnë trupin se ka ardhur koha për t’u zgjuar, duke ndihmuar në rregullimin e ritmit cirkadian.
Një rutinë e lehtë fizike në mëngjes, si “Stretching” ose ecje e shkurtër, mund të përmirësojë qarkullimin dhe humorin. Gjithashtu, mëngjesi i shëndetshëm dhe i ngrohtë, me proteina dhe fibra i jep trupit energji të qëndrueshme.
Muzika e preferuar apo dëgjimi i ndonjë podcasti pozitiv gjatë përgatitjeve për punë mund të ndihmojë në ngritjen e humorit.
Edhe përgatitja një ditë më parë – si zgjedhja e rrobave apo përgatitja e çantës së punës – mund të zvogëlojë stresin e mëngjesit.
Edhe pse moti nuk kontrollohet, mënyra si i përgjigjemi atij është në dorën tonë. Me pak përkujdesje dhe disa zakone të thjeshta, dita mund të nisë mirë, pavarësisht shiut apo reve jashtë.