Home Lajme Si po ia sheh hairin pushtetit Albulena Haxhiu| Vetë ministre e burrin anëtar të KQZ-së

Si po ia sheh hairin pushtetit Albulena Haxhiu| Vetë ministre e burrin anëtar të KQZ-së

0
Si po ia sheh hairin pushtetit Albulena Haxhiu| Vetë ministre e burrin anëtar të KQZ-së
Alban Krasniqi, bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, diti të shfrytëzoi mirë pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje në dy vitet e para. Krasniqi fillimisht u kandidua për kryetar të Malishevës nga radhët e këtij subjekti politik përgjatë zgjedhjeve lokale të tetorit të 2021-ës. Pasi doli i fundit me vota në këto zgjedhje, bashkëshorti i Haxhiut u rehatua si këshilltar politik në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Të premten, Krasniqi u dekretua nga presidentja Osmani si anëtar i VV-së në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ishte Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që e propozoi Alban Krasniqin për anëtar të tyre në KQZ. Të paktën, kështu tha Presidenca të premten, duke njoftuar për dekretimin e pozitës së tij.

“Z. Krasniqi është emëruar konform propozimit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe sipas legjislacionit në fuqi, do të shërbejë për kohëzgjatjen e mandatit të mbetur”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Ndonëse është praktikë diplomatike që vendimet e dekretet që dalin nga Zyra e Presidentit të publikohen nëpër rrjetet sociale, një gjë të tillë nuk e ka bërë as presidentja Vjosa Osmani e as stafi i saj, për t’u kursyer nga kritikat eventuale për një emërim të tillë. Vendimi është publikuar vetëm në uebfaqen zyrtare të Presidencës.

Alban Krasniqi ishte emri i kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Malishevën, kandidat ky i cili për VV-në sillte “ndryshimin e madh”, por jo edhe për malishevasit. Krasniqi doli i fundit në zgjedhjet lokale, duke marrë vetëm 15.15 për qind të votave.

Kësisoj, komuna shkoi në balotazh, i cili zhvillohej ndërmjet kandidatit të Nismës Socialdemokrate dhe PDK-së. Krasniqi bënte thirrje që të bojkotohej balotazhi, thirrje kjo e paprecedentë në botën demokratike.

“Asnjëra prej subjekteve që kanë fituar balotazhin nuk përfaqësojnë vlera për të cilat ne angazhohemi, përkundrazi janë sinonim i krimit. Andaj edhe i bëj thirrje të gjithë votuesve tanë që TA BOJKOTOJNË BALOTAZHIN NË MALISHEVË. Sepse të zgjedhësh mes dy të këqijave nuk është zgjidhje, por zgjedhë…lak në fytin e qytetarit”, bënte thirrje Krasniqi nga ‘Facebook’-u.

Pas dështimit në Malishevë, VV u sigurua të mos e linte krejt pa punë Albanin. Bashkëshorti i ministres Haxhiu u emërua si këshilltar politik i ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit.

Ministri Krasniqi shprehte moment krenarie me emërimin e aktivistit të VV-së në ministrinë e tij.

“Ndihem i nderuamr që ai është tashmë pjesë e ekipit tonë”, deklaronte shkurtazi ai.

Sikurse ministri Krasniqi, ashtu edhe ministrja Haxhiu, për Alban Krasniqin thonin se ai nuk merrte para për këtë punë. Megjithatë, në bazë të legjislacionit në fuqi, Krasniqi paguhet nga donatorë nga jashtë.

Krasniqi mbahet në mend kryesisht për ofendimet që ua ka bërë të tjerve në rrjetet sociale. /Demokracia/

Exit mobile version