15.5 C
New York
Thursday, October 2, 2025

Buy now

“Si kërpudhat pas shiut”- Cakolli paralajmëron KQZ-në për rrezikun nga OJQ-të fiktive

- Advertisement -

Në mbledhjen e së mërkurës anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë diskutuar për numrin e vëzhguesve që organizatat i kanë dërguar për akreditim.

Dyshime ka pasur edhe për veprimtaritë e tyre.

Lidhur me këtë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur shqetësimin për fenomenin e organizatave të ashtuquajtura joqeveritare, të cilat paraqiten në minutat e fundit të proceseve zgjedhore vetëm për t’u akredituar si vëzhguese, pa pasur ndonjë përvojë të mëhershme apo aktivitet real.

“Në çdo proces zgjedhor shfaqen organizata të ashtuquajtura joqeveritare që krijohen në minutën e fundit vetëm për t’u akredituar si vëzhgues. Pa përvojë, pa aktivitete të mëhershme e shpesh edhe me zyra fiktive, ato ekzistojnë vetëm në letër,” ka shkruar Cakolli në një postim në Facebook.

Ai theksoi se këto organizata nuk janë aspak rastësi, por pjesë e një skeme për të keqpërdorur procesin e vëzhgimit në funksion të interesave politike.

“Këto struktura nuk janë rastësi. Ato e keqpërdorin vëzhgimin për të shtyrë përpara interesa politike ose ndikime të tjera, duke u fshehur pas petkut të shoqërisë civile,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare.

Sipas Cakollit, standardet ndërkombëtare janë të qarta: vëzhgimi qytetar duhet të bëhet nga organizata të pavarura, me kapacitet real dhe metodologji të mirëfilltë.

Ai i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të jetë më i kujdesshëm në procesin e akreditimit dhe të sigurohet që përfaqësimi i shoqërisë civile në vëzhgimin zgjedhor të jetë i vërtetë, jo i simuluar.

“KQZ duhet të tregojë kujdes më të madh dhe të sigurohet që vëzhgimi nga shoqëria civile mbetet real e i besueshëm, e jo i simuluar nga akterë politikë apo parapolitik,” shtoi ai.

Në fund, Cakolli theksoi se praktika e akreditimit të organizatave të dyshimta vetëm sa e minon procesin zgjedhor në vend.

“Së fundi, akreditimi i organizatave (që dalin sikur kërpudhat pas shiut) nuk i shërben transparencës, por përkundrazi, e dëmton besueshmërinë e gjithë procesit,” përfundoi ai.

 

Të ngjashme

Të fundit