Deri tani, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale ka arrestuar 22 persona.
E, ndaj tyre Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në vendimin e gjykatës, të cilin e ka siguruar televizioni Dukagjini jepen detaje në lidhje me hetimet e kryera, ku mes tjerash ritheksohet që PRSK ka pranuar përgjime të “SKYECC” nga Europoli.
Gjatë vitit 2024 e 2025, PSRK, ka pranuar një pjesë të transkripteve të përgjimeve të “SkyECC” të siguruara nga shteti Francez dhe ato të siguruara përmes “EUROPOL” dhe shteti Belg, raporte këto të siguruar përmes bashkëpunimit të shtetit të Kosovës me “EUROPOL” (Agjencia e Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit) dhe ato të siguruara përmes bashkëpunimi juridik ndërkombëtar me shtetin francez.
Në komunikimet e anëtarëve të dy grupeve kriminale, të cilat përmenden në vendimin e gjykatës, tregohet se ata përveç bisedave tekstuale për narkotik, sasi, çmime, bilanceve të substancave të shitura, sasive të furnizimit, të dyshuarit shpërndanin edhe fotografi personale, si dhe të automjeteve të tyre me të cilat është bërë transporti i narkotikut.
Njëra ndër arsyet që gjykata ka përdorur për caktimin e paraburgimit është edhe rreziku i arratisjes, marrë parasysh faktin se një pjesë e të pandehurve kanë ndërruar identitet apo edhe kanë marrë identitete të rreme, siç janë të pandehurit Ragip Bislimi, Abedin Gjakova, Roland Beqiri.
Këtë të pandehurit, sipas gjykatës, e kanë bërë në mënyrë që t’i shmangeshin identifikimit nëpër pikat kufitare dhe fletëarresteve të mundshme kenë nëpër shtete të tjera.
Gjykata, ka vërtetuar dyshimin dhe atë bazuar në fotografi të dërguara në këto komunikime se janë përdorur presa të ndryshme për paketim narkotiku.
Mes tjerash thuhet se janë shfrytëzuar paketime parfumi, kozmetike me emra të brendeve të mëdha.
Tutje, gjykata shpjegon se të dyshuarit për t’i verifikuar sasitë e narkotikëve shkëmbenin fotografi.
Megjithatë, përkundër shumë dëshmive të siguruara, të gjithë avokatët dhe të pandehurit kanë kundërshtuar masën e paraburgimit.
Ndër ta edhe ai që ngjalli më shumë reagim në këto arrestime Shemsi Bahtiri, për shkak të lidhjeve të tij me partinë më të madhe në vend, Lëvizjen Vetëvendosje.
“E kundërshton kërkesën e tillë për caktimin e paraburgimit, sepse është e paqartë dhe se nuk janë ofruar prova të mjaftueshme që lidhen drejtpërdrejt me veprimet e Shemsi Bahtirit. Ai argumenton se kërkesa ngjan me romanin “Kafka”, ku i pandehuri arrestohet pa e ditur arsyen e vërtetë. Sipas tij, PSRK nuk ka ofruar informacione të detajuara për të treguar lidhjen e Shemsi Bahtirit me krimin e organizuar”. – Fanol Krasniqi, avokat i Shemsi Bahtirit
Avokati shpreh shqetësim edhe për përdorimin e termit krim i organizuar pa u specifikuar se kujt i ka shërbyer Shemsi Bahtriri ose cilës organizatë i përkiste.
Pretendime për mungesë të provave që lidhen direkt me klientët e tyre patën të gjithë avokatët.
Por, gjykata në arsyetimin e saj tregon se diçka tjetër.
Nga provat e siguruara nga autoritetet e Francës e ato Belge, që kanë të bëjnë me përgjimin e komunikimeve, të pandehurit jo vetëm se kanë komunikuar përmes kësaj platforme në forma të ndryshme me komunikime tekstuale, por po ashtu edhe kanë dërguar foto me të cilat kanë komunikuar për sasi narkotiku, pagesa parash, dëshmi pagesash se sa janë bërë shitje, dokumente identifikimi të tyre, ku këto dokumente identifikimi janë dokumente me emra e mbiemra të ndryshëm ku vetëm sa për njoftim njëri nga të pandehurit ka, apo është hasur në platformë që ka përdorur 4 lloj dokumente identifikimi të ndryshme me fotografi të tij”, Gjykata Themelore në Prishtinë.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar ende. /Dukagjini/