Rebecca Lemov, historiane e shkencës në Universitetin e Harvardit dhe autore e librit “The Instability of Truth: Brainwashing, Mind Control, and Hyper-Persuasion”, vlerëson se të gjithë mund të bëhemi viktima të kontrollit të mendjes.
Lemov thotë se ushtarët amerikanë u manipuluan mentalisht që të mos dëshironin të ktheheshin në shtëpi përmes taktikash që përfshinin izolimin, dobësimin e lidhjeve shoqërore dhe mungesën e gjumit.
Ajo argumenton se e njëjta gjë ndodh me shumë përdorues të aplikacioneve sociale, gjë që është shumë e dëmshme për shëndetin e tyre mendor.
Lemov thotë se rrjetet sociale ndikojnë përdoruesit në mënyra të ndryshme.
“Çfarë është një grup për një person nuk mund të ketë të njëjtin efekt për dikë tjetër,” tha ajo duke shtuar se, “kur një person që rekrutohet vendos të japë gjithçka, një tjetër mund të marrë disa gjëra nga ajo, por nuk do të japë pasurinë e tij të jetës”.
Sipas saj, ngjashëm funksionojnë edhe rrjetet sociale.
“Ato ndikojnë në mënyra të ndryshme për njerëzit, ndoshta edhe për shkak të eksperiencave të kaluara. Prandaj, kur konsumoni përmbajtje online, është e rëndësishme të kushtoni vëmendje tek si po ndiheni”.
Nëse një lloj përmbajtje ju lë të shqetësuar ose me ankth, ky është sinjal i dobishëm për të konsumuar më pak prej saj dhe madje për të bllokuar ata që krijojnë këtë lloj përmbajtje online.
Lemov mendon se kalimi i kohës në rrjetet sociale mund të shpjegojë pse ka kaq shumë njerëz që ndihen të vetmuar.
“Njerëzit që janë të vetmuar tentojnë të përdorin më shumë rrjetet sociale, sipas një studimi të vitit 2016, dhe përdorimi i vazhdueshëm i rrjeteve sociale mund t’i bëjë ata edhe më të vetmuar”, sqaron ajo.
Përdoruesit e rrjeteve sociale mund të humbasin edhe orët e gjumit, diçka që është thelbësore për shëndetin mendor dhe fizik. Studimet kanë treguar se ata që përdorin më shumë rrjete sociale tentojnë të shkojnë në shtrat më vonë. Përdorimi i telefonave të mençur në mes të natës mund gjithashtu të ndikojë në cilësinë e gjumit.
Lemov rekomandon që përdoruesit e rrjeteve sociale të punojnë në krijimin e një higjiene të mirë të gjumit.
Ajo këshillon që të largohen telefonat jashtë dhomave të gjumit kur shkojnë të flenë natën, pasi sipas saj kështu do të jetë më e lehtë për t’u mbrojtur nga tundimi për të kontrolluar telefonin pas orarit të gjumit ose kur zgjohen në mes të natës.
Përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale mund të nënkuptojë më pak kohë për të socializuar në jetën reale dhe për të marrë gjumin e mjaftueshëm, të dyja shumë të rëndësishme për shëndetin tonë mendor.
Artikulli është publikuar fillimisht në CNN dhe më pas është përshtatur nga Albanian Post.