- Gjykata Komerciale e Kosovës sot ka vendosur që ta shtyjë vendimin e nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve që ka të bëjë me Klan Kosovën.
Kjo gjykatë ka vendosur që ekzekutimi i vendimit të ARBK-së të shtyhet derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor për rastin e Klan Kosovës.
Gjykata vlerëson se ekzekutimi i vendimeve kontestuese, Klan Kosovës do t’i sillte dëme vështirë të riparueshme pasi që ekzekutimi i vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit në parim e pezullon dhe e lë pa efekt regjistrimin e paditësit si person juridik, i cili regjistrim i jep të drejtën për të ushtruar veprimtari ekonomike në Kosovë.
“Gjykata po ashtu vlerëson se për shkak të pezullimit, certifikata e biznesit e humb efektin juridik, e për pasoj edhe regjistrimi i paditësit në ARKB, andaj paditësi nuk mund të ushtroj as veprimtari tjetër ekonomike për shkak të certifikatës së pezulluar, i cili pezullim ka për efekt shuarjen/ndalimin e çfarëdo veprimtarie të paditësit,” thuhet në arsyetimin e Komerciales.
“Si rrjedhojë, pezullimi i certifikatës së biznesit do të rezultonte në revokimin e licencës nga Komisioni i Pavarur i Mediave për ushtrimin e funksionit të ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale që paraqet aktivitetin kryesor biznesor të paditësit, e cila do të kishte për pasojë ndërprerjen e marrëdhënies së punës për rreth 220 të punësuar tek paditësi sipas listës së të punësuarve të bashkangjitur me padi si dhe ndërprerjen e marrëdhënieve tjera kontraktuale me palët e treta, rrethana këto që në rast të ekzekutimit të vendimeve kontestuese paditësit do ti sillnin dëme vështirë të riparueshme”, thuhet tutje në vendim.