16.7 C
New York
Monday, June 9, 2025

Buy now

Si duket sot plazhi ku u shkrua historia? Normandia dje betejë, sot kujtim

- Advertisement -

Më 6 qershor 1944 filloi një nga operacionet më të mëdha dhe më të guximshme ushtarake në histori – zbarkimi i aleatëve në Normandi, i njohur si Dita D

Franca është e njohur për plazhet e saj të bukura, por ato në Normandi janë shpesh të ftohta dhe me erë, për shkak të afërsisë me Oqeanin Atlantik. Një prej tyre, Plazhi Omaha, i vendosur mes fshatrave Vierville-sur-Mer dhe Colleville-sur-Mer në rajonin Calvados, tërheq vizitorë nga e gjithë bota, jo për bukurinë natyrore, por për historinë e përgjakshme që mbart.

Plazhi i përgjakur – Omaha

Nëse ekziston një vend ku zbarkimi i aleatëve ishte pranë dështimit katastrofik, ai ishte padyshim Plazhi Omaha, pjesë e sektorit amerikan. Zona nuk ishte aspak ideale për zbarkim, por mbeti zgjidhja e vetme ndërmjet sektorit britanik “Gold” dhe plazhit tjetër amerikan “Utah”.

Një pjesë e bregut karakterizohej nga shkëmbinj të thepisur gëlqeror, ndërsa një tjetër kishte një vijë bregdetare të gjatë prej 6-7 kilometrash që ngrihej butësisht drejt një shpati të fortë. Ky terren e bënte plazhin jashtëzakonisht të favorshëm për mbrojtje.

Gjermanët kishin ngritur 14 fortifikime në pika strategjike, duke përfshirë barriera kundër tankeve, artileri, mina dhe tela me gjemba, gjithçka për të ndalur zbarkimin.

Në mars 1944, plazhi mori emrin kodues Omaha, ndërsa vetëm tre muaj më vonë u pagëzua tragjikisht si “Omaha e përgjakur”, transmeton Telegrafi.

Si nisi zbarkimi në Normandi?

Mëngjesin e 6 qershorit, në orën 06:30, valët e para të trupave amerikane u përballën me zjarr të dendur nga forcat gjermane. Bombardimet ajrore dhe artileria detare nuk kishin arritur të asgjësonin mbrojtjen, e cila ishte thuajse e paprekur.

Mjetet e blinduara zbarkuese ishin fundosur para se të arrinin bregun, duke e lënë këmbësorinë pa përkrahje. Plazhi, i mbushur me kufoma, të plagosur dhe mjete të shkatërruara, po ngushtohej nga vala e baticës. Forcat përforcuese ngecën ose u përplasën me pengesa që nuk ishin çmontuar në kohë.

Por pas orësh të tëra ferri, nisi një kthesë: ushtarët amerikanë, në grupe të vogla, me vendosmëri dhe trimëri, u ngjitën në shpatet e pjerrëta dhe kapërcyen mbrojtjen gjermane. Në mbrëmje, kishin fituar vetëm 2 kilometra territor, por zbarkimi ishte konsideruar një sukses. i paguar me mbi 3.000 të plagosur, përfshirë 1.000 të vdekur, 15 herë më shumë se në Plazhin Utah.

Heronjtë e Point du Hoc

Ndërkohë, më në perëndim, një njësi e renxherëve amerikanë kishte për detyrë të ngjitej në shkëmbinjtë 30 metra të lartë të Point du Hoc për të neutralizuar artilerinë gjermane. Misioni iu besua Batalionit të 2-të të Renxherëve nën komandën e nënkolonelit James E. Rudder.

Përballë një sfide ekstreme, ushtarët arritën majën për pak minuta, mes zjarrit të armikut dhe pengesave natyrore. Por në vend të topave, gjetën trarë druri – armët ishin zhvendosur brenda vendit muaj më parë dhe më vonë u shkatërruan nga një patrullë amerikane.

Renxherët mbetën të izoluar për dy ditë, nën sulme të vazhdueshme. Nga 225 luftëtarë, vetëm 90 mbetën të aftë për luftim, ndërsa gati 80 humbën jetën.

Dita D gati sa nuk ndodhi fare

Vetëm pak muaj para operacionit, kishte shpërthyer një debat i ashpër ndërmjet gjeneralit Dwight D. Eisenhower dhe kryeministrit britanik Winston Churchill. Eisenhower kërkonte që bombarduesit aleatë të zhvendoseshin nga objektivat industrialë gjermanë për të goditur infrastrukturën në Francë – ura, rrugë, hekurudha.

Churchill dhe komandanti i bombardimeve ajrore, Arthur “Bomber” Harris, kundërshtuan. Harris e konsideronte të panevojshme, ndërsa Churchill kishte frikë nga viktimat civile. Eisenhower kërcënoi me dorëheqje dhe, ia doli.

Kur gjithçka shkon keq – dhe prapë triumfon

Operacioni Dita D parashihte bombardime të rënda në pozicionet gjermane, shkatërrim të infrastrukturës dhe zbarkim të parashutistëve në thellësi. Por moti i keq dhe gabimet taktike i bënë planet thuajse të pamundura.

Shumë parashutistë zbarkuan larg destinacionit dhe u bënë viktima të snajperëve. Të gjithë tanket amfibë në sektorin Omaha u fundosën para se të arrinin bregun.

Megjithatë, falë vendosmërisë së jashtëzakonshme të ushtarëve, aleatët arritën të krijonin një front në Francë.

Sa viktima pati Dita D?

Shifrat e sakta mbeten të paqarta edhe sot. Vlerësimet e kohës varionin nga 5.000 deri në 12.000 viktima aleate. Sot besohet se më 6 qershor 1944 u vranë 4.414 ushtarë aleatë, përfshirë 2.501 amerikanë. Por kërkimi dhe identifikimi i të rënëve vazhdon ende.

Të ngjashme

Të fundit