Të shtunën, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur në një ‘seancë’ pune ku delegatët e kanë thënë fjalën e tyre për dorëheqjen e ofruar të Lumir Abdixhikut, nga pozita e kryetarit të LDK’së.
Pas disa orësh, kuvendarët, me shumicë të votave kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër largimit të Abdixhikut, ku kundër dorëheqjes së tij janë deklaruar 164, ndërsa pro dorëheqjes janë deklaruar: 136 delegatë, shkruan Gazeta Express.
Pas mbylljes së kësaj mbledhje, në prononcimet për media, u bë e ditur se gjatë saj, është miratuar një deklaratë politike, që siç u tha ishte për reformimin e kësaj partie, dhe, qëndrimet e saj lidhur me zhvillimet politike.
Kjo deklaratë, u publikua nga LDK’ja përmes një postimi në Facebook, ku u shfaqën edhe pikat e saj. Njëra ndër to, ishte ajo të cilën e paralajmëroi Abdixhiku, e që është formimi i kryesisë së re.
Në postim thuhet se Kuvendi i LDK’së i kërkon Abdixhikut të formojë një kryesi të re statutare e cila do të shërbejë si organi kryesor për marrjen e vendimeve politike.
‘’Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i kërkon Kryetarit të LDK-së formimin e një Kryesie të re statutare, e cila do të shërbejë si organi kryesor për marrjen e vendimeve politike dhe për drejtimin strategjik të partisë. Kuvendi e autorizon Kryetarin, që në konsultim me Nënkryetarët e LDK-së, të caktojë përbërjen e Kryesisë së re, brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm’’, thuhet në njërën nga pikat e Deklaratës së LDK’së.
Sipas statutit të LDK’së, kryetarit të partisë në këtë rast Abdixhikut, i takon e drejta që të propozojë të gjithë anëtarët e kryesisë.
‘’29.2 Kryetari i LDK-së i propozon Këshillit të Përgjithshëm listën prej 24 anëtarëve të Kryesisë’’, thuhet në statutin e LDK’së.
Ndërsa, Abdixhiku, pavarësisht konfirmimit si kryetar i LDK’së, me një diferencë prej afro 30 votave, është kritikuar nga disa figura të njohura e emra të rëndësishëm të kësaj partie. Dy ndër ta kanë qenë Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti. Për dallim nga ky i fundit që sonte s’u deklarua për media fare, Bajrami sonte e konfirmoi se ajo s’është më nënkryetare e LDK’së pasi që ka dhënë dorëheqje. Të dy këta kanë qenë pjesë e kryesisë aktuale. Mbetet të shihet se çfarë do të jetë përbërja e re dhe emrat që do t’i propozojë Abdixhiku dhe se a do të reflektohen edhe pozicionet kundërshtuese që Abdixhiku ka me disa figura të partisë.
Ndryshe, LDK, ka dalë parti e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke siguruara vetëm 15 ulëse në legjislaturën e re të kuvendit






