Fatmir Limaj për vite të tëra qëndroi në Hagë.
Atje ku akuzohej për krime të luftës nga Tribunali për ish-Jugosllavinë, Limaj kishte parë shumë modele monitorimi e praktika që ndërmerrnin shtete si Kroacia.
Limaj ka kujtuar se gjatë kohës që qëndronte në Hagë, kishte institute që monitoronin në baza ditore proceset, dhe hartonin raporte, të cilat u shkonin më pas shteteve të fuqishme.
Sipas Fatmir Limajt, kjo ka qenë detyra e Kuvendit të Kosovës, të cilën nuk e ka bërë tash e pesë vjet.
Nuk dua me vazhdu kështu, ne kur kemi shkuar, kemi qenë jetimë. Nuk du shokët e mi me u përballë me ato që jam përballë unë. Çu more boni institucionet, normalisht që duhet me i bë me qata që nuk pajtohesh.
“Është detyrë, kanë dështuar, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Monitorim e ka obligim parlamenti. Çfarë ndërhyrje ajo, e ka detyrë Kuvendi. Unë kam pas një propozim para disa vitesh. Nëse nuk kemi ne aftësi profesionale të atij niveli e që nuk kemi, hajde ta angazhojmë një Institut profesional, kam parë në Hagë, institute që monitorojnë proceset në dhomat e gjyqit, e sidomos në raste të tilla. Në Amerikë janë dhjetëra. Në San Francisko ka organizata që në rastin e Kroacisë, kanë qenë brenda në sallë. Kanë juristë me përvojë, monitorojnë çka flitet, a po respektohen të drejtat në paraburgim, në sallë, si po shkojnë provat, vlerësimi i provave, e bëjnë një raport çdo 3 muaj. Ia drejtojnë Brukselit, OKB-së, Uashingtonit, Londrës, monitorimi bëhet në baza ditore. Parlamenti i Kosovës duhet me kontraktu një organizatë të tillë të pavarur me integritet”, tha Limaj në RTV Dukagjini, raporton Nacionale.
“Parlamenti i Kosovës si ligjvënës e ka detyrë në situatë shumë të ndishme, spo dojmë kërkush me na keqintepretu, hajde ta organizojmë një organizatë profesionale, ndërkombëtare, e cila në emër të Parlamentit, e kontraktuar nga Kuvendi, shkon çdo ditë në sallën e gjyqit, e monitoron dhe raporton në Kuvend. Çdo 3 muaj e kish pas obligim me ardh në Kuvend, me raportu si është gjendja me të drejtat e të akuzuarve dhe Parlamenti me diskutu. Nuk e kanë bërë”, tha ai më tutje.
Sipas Limajt, raportet e organizatave të tilla janë shumë kredibile, dhe të njëjtat do të duhej të përdoreshin në aspektin diplomatik e atë medial ndërkombëtar.
“Çka bën sot Kosova, bën ata që e bëjnë shtetet e papjekura. Çka flet Kosova, sot flet për pare, kena dhanë pare avokatëve. E kena kry punën. Qekaq është. Nuk e ka shfrytëzu asnjë mekanizëm. Një shtet i organizuar si Kroacia, shikohet rruga diplomatike, institutet që po flas, ndërtojnë raportet. Çka dimë na çka është tu u shkel, çka di një qytetar i thjeshtë në komunikimin juridik, detyra është me mbet në arkivë, atë raport me dërgu dikund, në media ndërkombëtare, aq më tepër që Kuvendi duhet me ndi veten të mashtruar”, tha ai.
Për monitorimin e Gjykatës Speciale sot ka shkruar edhe profesori Arsim Bajrami.
“Republika e Kosovës ka të drejtë të monitorojë proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale sepse kjo gjykatë, ndonëse ndodhet në Hagë dhe ka staf ndërkombëtar, është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe është themeluar me vendim të Kuvendit. Monitorimi nuk do të thotë ndërhyrje në pavarësinë e saj, por garantim që gjykimet zhvillohen drejt dhe me transparencë, duke mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e vendit. Si çdo shtet sovran, Kosova ka të drejtë të sigurohet se drejtësia që bëhet në emër të saj respekton standardet më të larta dhe nuk shtrembëron të vërtetën historike. Në ketë funksion, Presidentja si faktor i unitetit të popullit duhet të bëjë ftesë organizatave ndërkombëtare respektive, të monitorojë ketë proces, i cili në fazen e deritanishme po shoqërohet me shkelje serioze të të drejtave të njeriut të përcaktuara me Kushtetuten e Republikës së Kosovës, KEDNJ dhe me standardet të së drejtës penale ndërkombëtare”, ka shkruar ai./ Nacionale=