30 C
New York
Monday, July 14, 2025

Buy now

Si dhe sa shpesh duhet t’i ujitni trëndafilat gjatë verës: Më të bukur, të shëndetshëm dhe plot lule

- Advertisement -

Trëndafilat kërkojnë kujdes të veçantë, veçanërisht për ujitjen gjatë muajve të verës. Simptomat e ujitjes së gabuar përfshijnë degë të varura ose rritje të ngadalësuar

Trëndafilat janë mbretëreshat e kopshtit dhe edhe ato, gjatë verës, kanë nevojë për sasinë e duhur të ujit. Fjala kyç është sasia e duhur, sepse as shumë e as pak ujë nuk është mirë, dhe po aq e rëndësishme është mënyra si i ujitni – ja si ta bëni siç duhet, pa i dëmtuar bimët.

Trëndafilat janë një nga të preferuarit absolutë në çdo kopsht, romantikë, aromatikë, elegantë dhe të bukur në çdo kohë. Megjithatë, sado të fortë dhe rezistentë të duken, trëndafilat mund të jenë mjaft kërkues kur bëhet fjalë për ujitjen. Kushtojuni vëmendje këtyre këshillave që t’i mirëmbani siç duhet.

Sa shpesh duhet ujitur trëndafilat?

Nevoja për ujë varet nga tre faktorë: mosha e bimës, lloji i tokës dhe kushtet atmosferike.

A janë trëndafilat të sapo mbjellë apo të vendosur prej kohësh në kopsht?

Trëndafilat e sapo mbjellë kanë nevojë për kujdes të shtuar në javët e para, sepse rrënjët e tyre ende nuk janë të zhvilluara thellë. Ujitini çdo dy deri në tri ditë.

Trëndafilat më të vjetër janë më rezistentë dhe më të lehtë për t’u mirëmbajtur. Nëse nuk është shumë nxehtë, ujitini mirë një herë në dy deri në tri javë. Gjatë vapës së madhe, natyrisht, edhe më shpesh, transmeton Telegrafi.

Lloji i tokës ka rëndësi

Toka ranore nuk e mban lagështinë mirë kërkon ujitje më të shpeshtë.

Toka argjilore e ruan më mirë ujin, por duhet kujdes sepse mund të mbajë tepër ujë.

Trëndafilat është më mirë të ujiten më rrallë, por më në thellësi – rreth 10 deri në 15 litra ujë për çdo bimë gjatë verës. Ujitini ngadalë dhe thellë, që uji të depërtojë deri te rrënjët.

Si të dalloni gabimet në ujitje?

Nëse trëndafili juaj nuk duket ashtu siç duhet, ndoshta arsyeja është ujitja e gabuar. Ja si t’i njihni shenjat:

Ujitja e tepërt:

▪ Degët dhe lulet duken të varura, edhe pse ujitni rregullisht
▪ Mund të ndodhë kalbja e rrënjëve, prandaj bima nuk mund të thithë më ujë

Ujitja e pamjaftueshme:

▪ Gjethet e reja mbeten të vogla, rritja ngec
▪ Sythet dhe degëzat e reja varen poshtë
▪ Lulet nuk hapen ose thahen menjëherë

4 këshilla të thjeshta për ujitjen e saktë të trëndafilave

Ujitini në mëngjes: Teprica e ujit avullon gjatë ditës dhe gjethet mbeten të thata. Mos ujitni kurrë në diell të fortë, mund të „digjni“ gjethet!

Mos ujitni mbi gjethe: Drejtojeni ujin drejt tokës. Gjethet e lagura nxisin infeksione kërpudhore, sidomos nëse mbeten të lagura natën.

Shmangni grumbullimin e ujit: Veçanërisht për trëndafilat në vazo, është e rëndësishme që uji i tepërt të ketë ku të dalë. Një shtresë drenazhi me argjilë të zgjeruar mund të ndihmojë.

Përdorni ujin e duhur: Trëndafilat nuk e duan tokën me shumë gëlqere. Është ideale të përzieni ujë shiu me ujë nga rubineti; pH-i duhet të jetë midis 5.5 dhe 6.5.

Të ngjashme

Të fundit