17.5 C
New York
Sunday, May 25, 2025

Buy now

Si Berisha spastroi kundërshtarët/ Në Kuvendin e ri, vetëm Bardhi me pak shokë

- Advertisement -

Një sukses i arritur nga Sali Berisha në zgjedhjet e 11 majit, është spastrimi i fraksioneve. Grupi i ri parlamentar i PD në shtator, nuk do të ketë asnjë kokëçarje për doktorin. Ai eliminoi edhe fraksionin e vetëm të mbetur në selinë blu, atë të Gazment Bardhin.

Në kulmin e vet, kur Lulzim Basha dha dorëheqjen nga PD, Bardhi mori frenat e grupit parlamentar të copëzuar të demokratëve, dhe pas tij kishte 24 deputetë deri në momentin e bashkimit në diversitet me Berishën, ndonëse disa prej tyre firuan më shpejt për tek doktori.

Por nga ta, në parlamentin e ardhshëm, do të jenë vetëm 8, përfshi dhe Bardhin. Operacionit fshesa me listat ia dolën ti mbijetojnë vetëm Agron Gjekmarkaj, Flamur Hoxha, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Ramadan Likaj dhe Saimir Korreshi, që performuan më lart se të tjerët gjatë aksionit në parlament, dhe e morën amnistinë e doktorit për tu futur në listat e mbyllura.

Ndërsa Jorida Tabaku, nuk ishte e preferuar, por theu pritshmëritë, dhe doli deputete nga lista e hapur.

Nga 25 deputetët, doktori u kujdes në radhë të parë të fshinte rebelët e egër si Bardhi. Dashnor Sulën e nxori nga listat, bashkë me Ferdinand Xhaferajn, Lefter Gështenjën dhe Helidon Bushatin. Këta të fundit e kuptuan lojën më shpejt se Dashi, dhe u tërhoqën pa pritur verdiktin e Berishës. Këtij grupi iu bashkuan edhe Zheni Gjergji, Eralda Tase Banon apo Oriela Nebiaj.

Disa të tjerë, iu bashkuan koalicionit euroatlantik të Lulzim Bashës. Oriola Pampuri dhe Merita Bakiu. Por nën hijen e kryetarit të tyre, patën fatin po aq trishtë dhe komik të krijesës së doktorit.

Enkelejd Alibeaj, u përpoq të krijonte një të djathtë të re. Ideja nuk mjaftoi për tu futur në parlament, ashtu si Arbi Agalliu e Selajdin Jakupllari, apo Flutura Accka që nuk kandidoi fare.

Ndërsa të tjerët, që u kthyen në fund besnikë të doktorit, nuk e patën fatin ta kenë këtë status. Dhurata Ccupi, Kreshnik Ccollaku, Andia Ulliri dhe Qani Xhafa, e patën një biletë në listë të hapur, por sektori VIP ishte prenotuar nga besnikët e rinj të doktorit, Arian Ndoja apo Gjin Gjoni.

Edhe aleatët, doktori i ndau në të rëndësishëm e të parëndësishëm. U dha mandate të sigurta kandidatëve të Ilir Metës, Vangjel Dules, Fatmir Mediut, Agron Dukës e Shpëtim Idrizit, ndërsa vagonët e vegjël shumëllojësh të trenit të Aleancës Madhështore i la me gisht në gojë.

Nga deputetët e rinj në parlament, duket e pamundur një grup rebelësh ndaj doktorit, sidomos kur në vijë të parë qëndrojnë Flamur Noka, Edi Paloka, djali i Fahri Balliut, Albana Vokshi dhe të tjerë.

Ndërsa Bardhi mbetet me pak shokë. Por ndonëse shokë, ata tani betohen vetëm për kokën e Berishës. Dhe nuk dihet nëse kjo mjafton që doktori ta rikonfirmojë Bardhin si kryetar të grupit parlamentar të PD për legjislaturën e ardhshme, por e ka një mundësi, vetëm nëse e kalon edhe një herë ylberin shumëngjyrësh, e të mundet ose të bëhet fraksion, vetëm nëse bashkon në diversitet, Lapajn, Qorin e Shehajn. /Abcnews.al/

Të ngjashme

Të fundit