Sipas raportimeve të Sky Sport Italia, shumica e klubeve të Serie A kanë dalë në mbështetje të Giovanni Malago si kandidat për postin e Presidentit të FIGC.
Një mbledhje e Lega Serie A po zhvillohet këtë mëngjes në Milan, ku klubet e elitës së futbollit italian janë thirrur për të përcaktuar kandidatin e tyre për zgjedhjet presidenciale të federatës.
Presidenti i ri i FIGC do të zgjidhet më 22 qershor, ndërsa votat e Lega Serie A përbëjnë 18% të totalit.
Ish-presidenti i CONI, Malag0, pritet të jetë kandidati zyrtar i propozuar nga liga, pasi gëzon mbështetjen e 18 klubeve të Serie A.
Sipas burimeve, vetëm Lazio dhe Hellas Verona nuk kanë shprehur një qëndrim të qartë gjatë takimit të sotëm, duke preferuar të shqyrtojnë më parë kuadrin rregullator. Megjithatë, këto dy klube nuk janë kundër kandidaturës së Malago.
Nga ana tjetër, edhe Juventus dhe AC Milan kanë dalë në mbështetje të tij, pavarësisht se fillimisht kishin propozuar Adriano Galliani si alternativë.
Malago gëzon gjithashtu mbështetje të fortë nga presidenti i Inter, Beppe Marotta, si dhe nga pronari i Napoli, Aurelio De Laurentiis.






