Kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka dhënë një zotim të fuqishëm për fshatin Gadime, duke premtuar trefishim të investimeve në mandatin e ardhshëm.
Buja theksoi se gjatë mandateve të tij si kryetar, janë investuar miliona euro në Gadime, ndërsa në të ardhmen ai synon të sjellë projekte transformuese që përfshijnë zhvillimin infrastrukturor, ekonomik dhe social, me synim përmirësimin e jetesës në çdo lagje të këtij lokaliteti.
Në qendër të këtij vizioni do të jetë Shpella e Gadimes, një pasuri e rrallë natyrore dhe atraksion turistik, e cila pritet të kthehet në pikë zhvillimi lokal përmes investimeve në promovim, infrastrukturë dhe përfshirje të komunitetit në menaxhim.
“Shërbimet publike do të ofrohen pa dallime partiake, sepse Gadimja ka nevojë për përkrahje, jo ndarje. Prioriteti ynë do të jenë njerëzit e këtij vendi që e kanë mbajtur gjallë me punë e sakrificë”, tha Buja.
Ai gjithashtu përmendi të rinjtë që po i bashkohen ekipit të tij, si Argjendi, Albulena dhe Egzona, të cilët sipas tij po sjellin energji të re politike, dhe theksoi se dera do të jetë e hapur për të rinj të tjerë me ide dhe vizione për të ardhmen.
“Bashkohuni me ne për një Gadime më të zhvilluar dhe një Lipjan më të drejtë”, përfundoi Buja.