Kandidati për kryetar të Lipjanit nga PDK, Shukri Buja, ka zhvilluar sot një takim me Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës “Miqtë e Amerikës”,.
Ai ka pranuar një mirënjohje dhe flamurin amerikan si dhuratë simbolike në nder të 79-vjetorit të lindjes së Presidentit amerikan Bill Clinton – mik i madh i popullit shqiptar.
Në një postim në rrjete sociale, Buja e ka cilësuar këtë takim si një nder, duke vlerësuar bashkëpunimin e gjatë me shoqatën që nga koha kur ai udhëhiqte Komunën e Lipjanit.
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë të takohem me z. Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës ‘Miqtë e Amerikës’, me që rast pranova si dhuratë mirënjohje dhe flamurin amerikan për nder të ditëlindjes së 79-të të Presidentit Bill Clinton, mikut të madh të popullit shqiptar. Me z. Rexhepi dhe shoqatën ‘Miqtë e Amerikës’ më lidh një bashkëpunim i shkëlqyer që nga koha kur kam shërbyer si kryetar i Komunës së Lipjanit. Ndër shumë nisma të përbashkëta, me krenari veçoj iniciativën e shoqatës për shpalljen Qytetar Nderi i Lipjanit të Gjeneralit amerikan Wesley Clark, simbol i lirisë sonë, i cili me vendim të Kuvendit të Komunës u nderua me këtë titull”, ka shkruar ai.
Buja ka premtuar se nëse do bëhet kryetar do punoj me përkushtim që raportet shqiptaro–amerikane të forcohen edhe më shumë.
“Në mandatin tim të ardhshëm si kryetar i Lipjanit, do të punoj me përkushtim që raportet shqiptaro–amerikane të forcohen edhe më shumë nëpërmjet projekteve konkrete, bashkëpunimit kulturor, ekonomik dhe institucional, duke e mbajtur të gjallë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është miqësi ekzistenciale për popullin shqiptar”, tha ai.