Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, ka rikthyer sot kujtimet nga malet heroike të Berishës, vend ku – siç thotë ai – janë vulosur vlera që i dhanë drejtim luftës për liri dhe të ardhmen e Kosovës.
Buja thekson se aty, në kohët më të vështira, ai dhe bashkëluftëtarët e tij Hashim Thaçi e Fatmir Limaj qëndruan krah për krah, të bashkuar nga qëllimi i përbashkët: çlirimi i vendit.
“Në malet heroike të Berishës, ku dikur qëndruam krah për krah me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn, na bashkoi lufta për liri dhe besimi i palëkundur në të ardhmen e Kosovës. Aty u fituan beteja të mëdha dhe u vulosën vlera që sot na kujtojnë se forca e vërtetë e këtij vendi ka ardhur gjithmonë nga uniteti,” u shpreh Buja.
Ai shtoi se historia e asaj zone dhe sakrifica e luftëtarëve të saj mbetet një shembull i qartë i asaj që Kosova ka arritur vetëm kur ka qenë e bashkuar.
“Bashkimi bën fuqinë,” përfundoi Buja, duke dërguar një mesazh të qartë për situatat aktuale politike dhe shoqërore në vend.






