Lipjani po përgatitet për një kapitull të ri në historinë e tij politike më zhvillimore. Shukri Buja, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës, ka shpallur rikthimin në skenën lokale me një mesazh të qartë: “Nuk flas për ndryshim, kam për ta bërë atë!”.
Figura e Bujës nuk është e panjohur për qytetarët e Lipjanit. I rritur në një familje të madhe me shtatë vëllezër dhe tri motra, i ka përjetuar përplasjet e kohës dhe sfidat që solli jeta në Kosovë.
Me nofka që pasqyrojnë multifunksionalitetin e tij: “Shuki”, “Kryetari”, “Gjenerali”, “Gazetari”, Buja është një nga figurat më të njohura dhe më të respektuara të komunës së Lipjanit.
Në adoleshencë nisi kauzën për liri…
Që në adoleshencë nisi kauzën për liri, duke udhëhequr protestat kundër regjimit serb dhe duke organizuar një grup gueril në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.
Për aktivitetin e tij u arrestua në vitin 1989 dhe u dënua me 13 vjet burg.
“Në vitet 80, kur liria dhe të drejtat tona ishin të shtypura, unë isha në ballë të përballjes”, thekson Shukri Buja, tash kandidat i PDK-së për kryetar të komunës së Lipjanit.
Veç aktivitetit politik – edhe afarist i suksesshëm
Gjatë luftës në Kosovë mori nofkën “Gazetari”, shkaku i përvojës së tij si drejtor i gazetës “Zëri i Kosovës”.
Përveç aktivitetit politik dhe luftarak, Buja është edhe një afarist i suksesshëm, i njohur për aftësinë e tij për të menaxhuar projekte dhe investime të mëdha, duke e bërë atë një figurë të plotë në biznes e politikë.
Ishte dy mandate kryetar komune – synon mandatin e tretë
Pas lufte Buja fitoi dy mandate si kryetar i Lipjanit dhe gjatë gjashtë viteve të qeverisjes investoi mbi 62 milionë euro në infrastrukturën dhe zhvillimin e komunës.
Ai thekson se shumë punë janë bërë, por shumë më tepër ka mbetur për t’u realizuar.
“Fatkeqësisht, 12 vjetët e fundit kanë qenë vite të ngecjes, diskriminimit dhe moszhvillimit. Prandaj, edhe rikthehem”, deklaroi ai.
Mesazhi i tij për qytetarët është i qartë: puna dhe projektet konkrete duhet të jenë në qendër të qeverisjes, jo fasadat politike.
Ai premton t’i çojë përpara projektet e papërfunduara dhe të zhvillojë projekte të reja që ndikojnë direkt në jetën e përditshme të qytetarëve.
I besueshëm dhe i respektuar nga populli
Shukri Buja njihet, gjithashtu, si një njeri që e njeh Lipjanin “në arterie”, duke kuptuar nevojat dhe aspiratat e komunitetit.
Ai ka lënë gjurmë të rëndësishme në kohë dhe vazhdon të jetë një figurë e besueshme dhe e respektuar jo vetëm në politikë, por edhe në jetën publike dhe afariste të komunës.
“Unë nuk flas për ndryshim, por do e bëj atë! Lipjani ka nevojë për drejtim të vërtetë, për projekte që prekin jetën e përditshme, jo për fasadë apo ngjyra. Tani është koha jonë!”, thotë ai.
Baba dhe gjysh i lumtur…
Përveç karrierës politike dhe afariste, Buja është edhe baba dhe gjysh i lumtur, duke e bërë figurën e tij një simbol stabiliteti dhe përkushtimi në të gjitha drejtimet.