Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Lipjan, Shukri Buja, ka shprehur mirënjohje për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së për angazhimin dhe mbështetjen e tyre gjatë procesit zgjedhor.
Buja pavarësisht një fushate të mirë nuk arriti të kalojë as në balotazh.
Në një reagim publik, Buja ka theksuar se është krenar për punën, përkushtimin dhe besimin e strukturave të partisë në Lipjan.
“Nga zemra dua t’ju falënderoj secilin prej jush që besuat në mua dhe në ekipin e PDK-së. Faleminderit juve që nuk u ndalët asnjë ditë, që ecët me mua derë më derë dhe e ngritët flamurin e PDK-së me krenari në çdo cep të komunës,” – ka shkruar Buja.
Ai ka vlerësuar se rezultatet e zgjedhjeve janë shprehje e vullnetit qytetar dhe duhet të respektohen plotësisht, duke theksuar se PDK do të vazhdojë të punojë për një Lipjan më të bashkuar dhe më të zhvilluar.
“PDK – Dega në Lipjan do të vazhdojë të punojë me dinjitet, me respekt për çdo qytetar dhe me vullnet të sinqertë për bashkëpunim, gjithmonë në të mirë të komunës sonë,” – ka deklaruar ai.
Në fund, Buja ka shprehur edhe një herë mirënjohjen për mbështetjen dhe besimin e treguar nga qytetarët e Lipjanit gjatë gjithë procesit zgjedhor.