Shukri Buja, gjatë luftës komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes dhe tani kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Lipjanit, ka shprehur nderimin e tij të thellë për Komandantin Ismet Jashari, i cili dha jetën për lirinë e Kosovës.
Sot, më 25 gusht, shënohet përvjetori i rënies heroike të Ismet Jasharit, njërit nga simbolet më të ndritura të luftës për çlirim, si dhe përvjetori i rënies së dëshmorëve të Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut.
Në një postim, Buja kujtoi bashkëluftëtarin dhe mikun e tij të shtrenjtë, duke e quajtur Ismetin “ikonë e luftës, e organizimit dhe e disiplinës ushtarake.”
“Ismeti ishte gjithmonë i gatshëm për sakrificë, i përkushtuar pa kushte ndaj çështjes kombëtare. Kujtoj me krenari momentet kur vepronim së bashku në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në redaksinë e gazetës ‘Zëri i Kosovës’. Ishte një nder dhe krenari të veproja me të për lirinë e atdheut,” – shprehet Buja.
Ai kujton me emocion betejat heroike të Ismetit dhe të bashkëluftëtarëve të tij në Llapushnik, Carralevë, Qafën e Duhlës dhe Blinajë, ku “lufta u bë histori dhe gjaku u bë flamur.” Buja gjithashtu thekson momentin e fundit të takimit me Ismetin, kur i dha këmishën ushtarake që ai e donte aq shumë, një simbol i thjeshtë, por i rëndësishëm, i përkushtimit dhe dashurisë për atdheun.
“Takimi ynë i fundit, kur i dhashë këmishën ushtarake që ai e donte aq shumë, mbetet një moment i thjeshtë, por sot ai peshon rëndë në kujtimet dhe krenarinë time. Ismeti u përjetësua më 25 gusht 1998 dhe u kthye në një legjendë,” – tha Buja.
Në përkujtimin e tij, Buja nënvizon se përveç Ismetit, është gjithashtu momenti për të nderuar të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Lavdi veprës dhe jetës së Komandantit Ismet Jashari! Lavdi dëshmorëve të Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!” – përfundon Shukri Buja.