Kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Shoqatës “Hendikos” për Lipjan, Afrim Mena, dhe anëtarët e kryesisë së kësaj shoqate, ku ka shpalosur planin e tij për mbështetjen dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara.
Në këtë takim, Buja u zotua se gjatë mandatit të tij si kryetar, do të zbatojë me përpikëri legjislacionin për punësimin dhe aftësimin profesional të kësaj kategorie.
“Për çdo 50 të punësuar në administratën komunale dhe në institucionet publike nën menaxhimin e komunës, do të punësohet të paktën një person me aftësi të kufizuara, ashtu siç e kërkon ligji, por edhe ndërgjegjja jonë njerëzore dhe sociale,” u shpreh Buja.
Ai gjithashtu premtoi mbulim të plotë të shpenzimeve të udhëtimit dhe ushqimit për të gjithë personat me aftësi të kufizuara që ndjekin trajnime për aftësim dhe riaftësim profesional.
“Çdo kërkesë nga shoqatat që përfaqësojnë këtë kategori do të trajtohet me seriozitet, përkushtim dhe vëmendje të veçantë,” shtoi ai, duke theksuar se ky nuk është thjesht një premtim elektoral, por një angazhim personal dhe institucional.
“Ne e mbajmë fjalën, e veçanërisht unë! Për ne, fjala është fjalë. Premtimi është zotim,” përfundoi Buja.
Ky angazhim i tij është mirëpritur nga përfaqësuesit e Hendikosit, të cilët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara në Komunën e Lipjanit.