GJKKO ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të ish-Kryeministrit Sali Berisha për shuarje të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për klientin e tyre përsa i përket çështjes së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Gjatë ditës së sotme, avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha iu drejtuan këtë të mërkurë Gjykatës së Posaçme për të kërkuar zhbërjen e masave të sigurisë për klientin e tyre.
Avokati Gjokutaj theksoi se kjo vjen pasi “gjykata nuk ka zbardhur vendimin dhe për pasojë nuk ka bërë ekzekutimin”.
Në kërkesën e bërë publike një ditë më parë (Lexo më shumë) avokatët e konsideruan moszbardhjen e vendimit shkelje flagrante të ligjit.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme thotë se vendimi është zbardhur. Aty janë renditur lëvizjet e policisë gjyqësore për njoftimin e ish-Kryeministrit, deri në momentin që gjykata ka vlerësuar marrjen e dijenisë për shkak të reagimeve të tij publike ndaj masës së sigurisë.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-Kryeministrit masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe atë të detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore me dyshimet e përfshirjes në korrupsion. Të hënën në 6 Nëntor, Berisha vendosi të mos paraqitej përballë oficerit të policisë gjyqësore duke e konsideruar masën si antikushtetuese./tvklan.al