Për shkak të mungesës së prokurores, ka dështuar seanca e së hënës në gjykimin ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Drenasit, Fitim Veliqi, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës.
Mungesën e prokurores Arbresha Shala e konstatoi kryetari i trupit gjykues, gjykatës Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se e njëjta përmes email-it i ka njoftuar se është në takim zyrtar dhe se ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.
Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.