23.7 C
New York
Tuesday, August 19, 2025

Buy now

Shtuni: Kosova s’mund të humbë më kohë, VV të lëshojë rrugë nëse s’bën zgjidhje, vendi s’mbahet me marifete

- Advertisement -

Më shumë se gjashtë muaj pas zgjedhjeve qendrore, e më pak se dy muaj larg zgjedhjeve lokale, Kosova po vazhdon të jetë e “thelluar” në krizën e saj me mos krijimin e institucioneve.

Përgjatë këtyre muajve qytetarët e vendit, duke lënë anash, disa tentime kinse për krijim të institucioneve, nuk panë gjë tjetër përveçse bllokadë e krizë pas krizë. Një përgjumje politike kaploi vendin për disa muaj, ku thirrje për seancë, hedhje në votim e mos konstituim, ishte i gjithë skenari politik për shumicën e kohës. Megjithatë, 30 ditët e fundit nuk ishin të tilla, shkruan Gazeta Express.

Së pari presidentja Vjosa Osmani njoftoi për vazhdimin e programit MCC nga SHBA, pastaj qeveria në detyrë hoqi tarifat për mallrat amerikane, dhe rreth këtyre ditëve u mbajt një takim mes sekretarit amerikan Rubio dhe ministrit serb Gjuriq. Secila prej këtyre zhvillimeve të fundit, krijoi diskutime e ngriti pikëpyetje.

Është edhe një çështje tjetër që gjatë kësaj kohe ka qenë mjaftë e rëndësishme. Se cilës, më së shumti jehonë i dhanë ndërkombëtarët. E që ishte pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e 12 tetorit. Për këtë të fundit, duke filluar nga ambasada amerikane e për të vazhduar me të tjerat, u bë thirrje që të mos pengohej kjo parti për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Madje nga ta u tha se një gjë e tillë minon edhe demokracinë në vend.

Lidhur me këto çështje, Gazeta Express mori disa komente nga Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri që vepron në Uashington.

Shtuni, çështjen e MCC e pa si një lajm të mirë “në një kohë kur lajme të tilla për Kosovën janë rralluar shume”. Lajm të mirë ai e pa edhe heqjen e tarifës për mallrat amerikane, porse për investime e këtyre të fundit, tha se duhet situatë e qëndrueshme politike.

Ai komentoi edhe çështjen e Listes Serbe, duke thënë se një përplasje e tillë mes Kosovës dhe partnerëve të saj do të kishte pasoja. Sipas tij, nëse VV s’mund ta zgjidh ngërçin e krijuar ajo duhet t’i hap rrugë të tjerëve sepse “Vendi s’mund të mbahet pezull pafundësisht me sllogane dhe marifete”.

Gazeta Express: Kosova po merr sinjale të mira nga Administrata Trump pavarësisht shqetësimeve se mund të ketë ndonjë zhvillim të paparashikueshëm. Në këtë kontekst lajmi që duhet të veçohet është vazhdimi i projektit të MCC për Kosovën. Si e vlerësoni ju këtë?

A.Shtuni: Është një sinjal shume domethënës dhe i mirëpritur sidomos pasi është një lajm i mirë në një kohë kur lajme të tilla për Kosovën janë rralluar shume. Vazhdimi i programit Millennium Challenge Corporation (MCC) me vlerë totale prej 202 milionë USD nga Administrata Trump konfirmon edhe një herë se angazhimi i SHBA-ve në Kosove shkon përtej politikës. Është një investim në popullin e Kosovës. Një angazhim afatgjatë që në themel ka përkujdesjen për forcimin e demokracisë në vend dhe zhvillimin ekonomik, mirëqenien dhe sigurinë e popullit të Kosovës përmes krijimit të mundësive ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, sidomos në sektorin jetik energjitik.

Gjithashtu transferimi nga SHBA pak ditë me parë i 50 automjeteve të blinduara të sigurisë të tipit M1117 dhe marrja e tyre ne dorëzim nga autoritetet e Kosovës është një tjetër tregues i qartë i angazhimit të pandërprerë amerikan për forcimin dhe modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gazeta Express: Kosova hoqi tarifën ndaj mallrave amerikane, kanë ndodhur edhe disa vizita nga institucionet atje në Prishtinë, Trump i shkroi letër Presidentes së Kosovës me fjalë të mira për lidhjet mes dy vendeve duke shprehur falënderim që Kosova pranoi të marrë refugjatë përkohësisht nga SHBA. Megjithatë Kryeministri Kurti mbetet disa anash në këto raporte. Si e komentoni?

A.Shtuni: Heqja e tarifës prej 10% ndaj prodhimeve amerikane është një lajm i mirëseardhur si politikisht dhe diplomatikisht. Do të doja të thosha edhe ekonomikisht, por faktikisht vëllimi aktual i tregtisë midis Kosovës dhe SHBA-ve është në një prej niveleve me të ulëta ndër vendet e Ballkanit Perëndimor. Shpresoj se kjo do të ndryshojë në të ardhmen e afërme pasi Kosova ka potencial shumë të mirë për të tërhequr investime amerikane.

Por, parakushti që kjo të ndryshojë është krijimi i një situate të qetë në aspektin e sigurisë dhe të qëndrueshme politikisht në vend. Fatkeqësisht kriza aktuale politike dhe institucionale është një barriere që po i kushton shtrenjtë Kosovës si ekonomikisht ashtu edhe në reputacion në planin ndërkombëtar. Gjithashtu është pengesë edhe për çbllokimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo duhet të ndryshojë pa vonesë pasi çdo ditë e humbur është një luks që Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes. Për zhbllokimin e ngërçit politik e institucional kryeministri në detyre dhe partia e tij që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet në shkurt 2025 kanë përgjegjësinë kryesore. Nëse nuk munden apo nuk dëshirojnë ta zgjidhin ata duhet t’i hapin rrugën të tjerëve që të provojnë të gjejnë zgjidhje. Vendi s’mund të mbahet pezull pafundësisht me sllogane dhe marifete.

Gazeta Express: Ditëve të fundit diplomatët perëndimorë kanë ndërmarrë një “aksion” kundër bllokimit të Listës Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të tetorit? Për këtë ka paralajmërime direkte ndaj Qeverisë në detyrë. Kjo padyshim do të ishte një përplasje e re Kosovë -Perëndim, me siguri, me pasoja?

A.Shtuni Padyshim se një përplasje e tille do të kishte pasoja që do të përkeqësonin një situatë që edhe ashtu është mjaft problematike. Pjesëmarrja e plotë e çdo komuniteti në procesin zgjedhor dhe me tej në qeverisjen lokale është e vetmja mënyrë për të siguruar që zëri i gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë, të ketë peshë të njëjtë. Të drejtat e votës dhe përfaqësimit politik nuk janë privilegje apo lëshime preferenciale por të drejta kushtetuese të patjetërsueshme që përbejnë themelin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë. Prandaj pjesëmarrja e komuniteteve pakicë në zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të lehtësohet me çdo mënyrë dhe angazhimit të tyre në qeverisje duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë nga shteti për të siguruar që nevojat e tyre të adresohen drejtpërdrejt përmes përfaqësuesve të zgjedhur.

Gazeta Express: Sekretari Marco Rubio priti kryediplomatin serb Gjuriq duke u dakorduar me të për fillimin e dialogut strategjik. Çfarë nënkupton kjo sipas jush? A ka rrezik për Kosovën një afrim i SHBA-ve me Serbinë?

A.Shtuni Deklarata përfillimin e dialogut strategjik midis SHBA-ve dhe Serbisë është një zhvillim i rëndësishëm si për raportet dypalëshe ashtu edhe me gjer për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sekretari Rubio dhe ministri i Jashtëm Gjuriq diskutuan ndër të tjera mbi rëndësinë e çtensionimit të situatës në rajon, sidomos midis Serbisë dhe Kosovës. Ky dialog strategjik ndër të tjera parashihet të adresojë edhe çështjet që ndërlidhen me Kosovën, si pjesë e angazhimit të SHBA-ve për parandalimin e tensioneve në rajon.

Si i tillë, ky dialog strategjik nuk nënkupton një afrim të Serbisë me SHBA-të në dem të interesave të Kosovës. Përkundrazi, tërheqja e Serbisë me pranë SHBA-ve përmes dialogut strategjik shton mundësitë për intensifikimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si edhe të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor që është në dobi të gjithë vendeve të rajonit.

Por ëe jemi të qartë, edhe diplomacia e Kosovës duhet të intensifikojë vellimin dhe cilësinë e angazhimit me administratën Trump jo për konkurencë me Serbinë por për të avancuar interesat themelore të shtetit në mënyrë strategjike, konstante, e sa më denjësisht në nivelet më të larta. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë moment kur shumëçka në dinamikat e politikës ndërkombëtare po ndryshon me shpejtësi marramendëse.

Gazeta Express: Edhe 6 muaj pas zgjedhjeve Kosova është ende pa institucione të reja. Kushtetuesja nxori aktgjykimin e saj lidhur me këtë situatë, duke sqaruar rrugën se si të ecet përpara. Por nuk po shohim ndonjë ndërhyrje të fortë nga vendet perëndimore. A po shihni ju zgjidhje në horizont të kësaj krize në Kosovë?

A.Shtuni: Shpresoj se do të ketë kthjellim sa më shpejt por nuk jam shumë optimist pasi kjo situatë nuk është as e papritur as aksidentale. Në vetvete moskonstituuimi i Kuvendit nuk është problemi, por simptomë e një krizë themelore vizioni dhe lidershipi në politikën aktuale të Kosovës. Pyetja është kujt i shërben kjo situatë dhe kush mban përgjegjësi që vendi ka mbetur në baltë, pa kuvend e pa qeveri dhe i paralizuar si në politikë të brendshme e të jashtme ashtu edhe në ekonomi e mirëqenie? Të kuptohemi, nuk po flas metaforikisht. Nga tre pushtetet që përbëjnë sistemin e qeverisjes në Kosovë, legjislativi dhe ekzekutivi janë paralizuar dhe i vetmi pushtet funksional, gjyqësori, po sulmohet e anatemohet nga politika. Kjo është situate absurde ku shteti po saboton e sulmon vetveten. Prapë pyes: kush fiton nga kjo e kush mban përgjegjësi?

Sido që të jetë, obligimi për gjetjen e zgjidhjes është i klasës politike të Kosovës, dhe para se gjithash i partisë që ka fituar shumicën e votave. Kjo përgjegjësi nuk mund të delegohet tek politikanët apo diplomatët e vendeve perëndimore. Deputetët janë zgjedhur dhe paguhen për të gjetur zgjidhje e jo për të zhagitur problemet. Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të shpallur në datë 8 gusht ka folur mjaft qartë duke sqaruar procedurat dhe urdhëruar deputetët e zgjedhur nga vota e popullit që brenda afatit 30 ditor të zgjedhin udhëheqësit e Kuvendit. Zbatimi i këtij urdhri është përgjegjësi ligjore. Megjithatë ne e dimë se vetëm zgjedhja e udhëheqësve të Kuvendit nuk e zgjidh krizën që ka ngërthyer vendin. Duhet të gjendet një kompromis me i thellë politik, ndoshta edhe me ndihmën e ndërmjetësve. Por një gjë është e qartë, kjo krizë e vetëshkaktuar nuk guxon të vazhdojë me gjatë pasi rrezikohet që pasojat për vendin të jenë të rënda dhe ato nuk do të mund t’i faturohen askujt tjetër.

Të ngjashme

Të fundit