Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i është përgjigjur kritikave të deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj rreth shtretërve në Klinikën Emergjente dhe materialeve në Kirurgjinë Invazive.
Vitia tha se në Klinikën Emergjente janë 25 shtretër, teksa siç deklaroi tutje numri është shtuar me renovimin e fundit.
“E para, katër krevate në Klinikën Emergjente. Zonja Time nuk di kur keni qenë për herë të fundit, por në Klinikën Emergjente janë 25 krevate me renovimin e Emergjencës është shtuar numri i krevateve dhe të thuash janë 4 kur janë 25, sinqerisht jo vetëm dezinformim, por dezinformim kardinal”, tha ai.
Tutje, ai mohoi deklarimet e deputetes se në Kirurgjinë Invazive, materialet përdoren më shumë se një herë për pacientët që marrin shërbime aty.
“Thuhet që materialet në Kirurgjinë Invazive përdoren 2 ose 3 herë për pacientë, në anën tjetër deputetja thotë se nuk dua t’i sulmojë mjekët. Mjekët nuk guxojnë dhe e dinë shumë mirë si përdoren këto materiale, nëse keni fakte të tilla u kisha lut, që këto materiale t’i dërgoni në Prokurori e pastaj në sallën e Kuvendit, ku do skuqesha nëse ka ndodhë një gjë e tillë”, shtoi ai.






