13.9 C
New York
Monday, April 28, 2025

Buy now

Shtrenjtimi i rrymës e çon Kosovën drejt një vale të re inflacioni

- Advertisement -

Kosova po përjeton një valë të re inflacioni gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ekspertët ekonomikë vlerësojnë se ky trend rritës dëshmon saktësinë e paralajmërimeve të tyre: rritja e çmimeve, apo edhe pritshmëritë për shtrenjtim, kanë udhqyer një cikël të ri të ngritjes së kostos së produkteve bazë.

Të dhënat e publikuara për muajin mars 2025 tregojnë një normë mujore inflacioni prej 0,8 për qind dhe një normë vjetore prej 2,9 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, rritja mujore është ushqyer kryesisht nga shtrenjtimi i perimeve (5.3 për qind), frutave (4.5 për qind) dhe shërbimeve ambulantore (3.3 për qind).

Kategoritë si pajisjet për shtëpi dhe kopsht, këpucët dhe shërbimet hoteliere gjithashtu kanë parë rritje të konsiderueshme, duke reflektuar një trysni më të gjerë mbi portofolin e konsumatorit.

Në perspektivën vjetore, inflacioni është nxitur sidomos nga një rritje dramatike në çmimet e kafesë, çajit dhe kakaos (17.1 për qind), perimeve (8.7 për qind) dhe mishit (8.3 për qind).

Edhe çmimet e shërbimeve të transportit personal, produkteve të bulmetit, dhe pijeve alkoolike kanë shënuar rritje të konsiderueshme.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës sipas ekonomistit Edison Jakurti, tregojnë pritjet për rritje të çmimeve në dritën e diskutimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Të dhënat e ASK-së për ndryshimin vjetor të çmimeve në bazë mujore kanë filluar ta tregojnë atë që e kemi ditur e thënë më herët: pritjet për rritjen e çmimeve mund të ndikojnë vetë në rritjen e çmimeve.” – tha Jakurti mes tjerash në Facebook.

Inflacioni u rrit nga 1.7 për qind në shkurt në 2.9 për qind në mars – niveli më i lartë i regjistruar që prej nëntorit 2023. Rritja është edhe më e theksuar në kategorinë e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike.

Paralajmërim të ngjashem kishte bërë edhe njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi, duke analizuar trendet e rritjes së energjisë, çmimeve të ushqimit dhe inflacionit në periudhën 2020-2025 në Kosovë.

Në krahasimet e bëra, Muharremi arriti në përfundimin se “rritja e tarifave të rrymës do të shkaktojë një valë të re inflacioni”, çka aktualisht të dhënat e ASK-së sugjerojnë atë drejtim.

“Sot çmimet janë shumë më të larta sesa në vitin 2021, kur kostoja e energjisë ishte e qëndrueshme. Në disa produkte ushqimore rritja e çmimeve ka kaluar 100 për qind.Rritja e tarifave të rrymës do të shkaktojë një valë të re inflacioni

Një rritje shtesë e çmimeve të energjisë në vitin 2025, pas disa viteve inflacioni dhe çmimesh astronomike, do të provokojë dhe shkaktojë një valë të re të inflacionit. Kjo do të ndodhë përmbi gjithë inflacionin e akumuluar deri më tani.” – tha ai mes tjerash

Inflacioni ndër vite

Që nga viti 2021, inflacioni në Kosovë ka ndjekur një trajektore rritëse eksponenciale, duke arritur kulmin me një normë vjetore prej 11.58% në vitin 2022.

Në vitin 2024, 44 për qind e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte ndërsa shpenzojnë më shumë, sipas një ankete të publikuar nga UNDP në shkurt 2024.

Ndërsa çmimet e produteve kërcënonin mirëqenien e familjeve me të ardhura të ulëta, qeveria Kurti u akuzua për indiferencë ndaj krizës.

Nga ana tjetër, pretendimet e përsëritura të Kurtit se Kosova zbatoi pakon më të madhe mbështetëse në rajon në raport me BPV-në pati efekte minimale në zbutjen e krizës, sipas raporteve ndërkombëtare.

Vlerësimi i Bankës Botërore për vitin 2022 pikturoi një pamje të zymtë të skemave të asistencës sociale të Kosovës, duke i përshkruar ato si “të ngurta” dhe kryesisht joefektive në adresimin e krizës. “Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e ndihmës sociale është e ngurtë dhe mund të ofrojë vetëm mbrojtje të kufizuar.” /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit