Një studim i ri zbuloi se shtimi i tepërt i peshës gjatë shtatzënisë lidhet me një rrezik më të madh të vdekjes nga sëmundjet e zemrës ose diabeti në dekadat në vijim.
Një rrezik më i lartë i vdekjes u vu re në shumicën e grupeve me peshë të studiuar, duke përfshirë ato që ishin nën peshë, peshë normale ose mbipeshë para shtatzënisë së tyre.
Studiuesit nga Shkolla e Mjekësisë Perelman në Universitetin e Pensilvanisë, ShBA, shpresojnë që gjetjet të hedhin dritë mbi rreziqet shëndetësore të lidhura me shtimin e lartë të peshës gjatë shtatzënisë dhe të ndihmojnë punonjësit e kujdesit shëndetësor të identifikojnë mënyra të reja për të ndihmuar njerëzit të arrijnë shtatzëni më të shëndetshme.
Për të kuptuar se si shtimi i peshës gjatë shtatzënisë ndikon në shëndetin në të ardhmen, studiuesit vlerësuan përafërsisht 50 vjet të dhëna shëndetësore me burim nga 46,042 individë që morën pjesë në Projektin Bashkëpunues Perinatal.
Ekipi analizoi indekset e masës trupore të pjesëmarrësve, ndryshimet në peshë me kalimin e kohës dhe regjistroi vdekjet e çdo shkaku së bashku me vdekjet që lidhen me shkaqet kardiovaskulare dhe të lidhura me diabetin.
Gjatë kohës së përcjelljes, 17,901 individë vdiqën, raporton “Healthline”, transmeton Klankosova.tv.
Ekipi zbuloi se në mesin e atyre që ishin nën peshë para shtatzënisë, me Indeksin e Masës Trupore (BMI) më pak se 18.5 kilogramë për metër katror, shtimi i tepërt i peshës gjatë shtatzënisë lidhej me një rrezik 84 për qind më të lartë të vdekjes për shkak të shkaqeve kardiovaskulare.
Në mesin e njerëzve që kishin një peshë normale para shtatzënisë, me BMI midis 18.5 dhe 24.9 kilogramë për metër katror, shtimi i lartë në peshë gjatë shtatzënisë u shoqërua me një rrezik 9 për qind më të lartë të vdekjes nga çdo shkak dhe një rrezik 20 për qind më të lartë të vdekjes nga shkaqe kardiovaskulare.
Së fundi, njerëzit që ishin mbipeshë para shtatzënisë, me BMI midis 25 dhe 29.9 kilogramë për metër katror dhe përjetuan shtim të tepërt të peshës gestacionale kishin një rrezik 12 për qind më të lartë të vdekjes nga çdo shkak dhe një rrezik 12 për qind të lartë për të vdekur nga diabeti.