Shkruan: Ardian Bajraktari
Shteti nuk ndërtohet mbi improvizime të përhershme. Sistemi kushtetues nuk është koncept fleksibil që përshtatet sipas komoditetit politik. Ai është kornizë detyruese që garanton ndarjen e pushteteve, sigurinë juridike dhe legjitimitetin institucional.
Nga sot, kemi Presidente si Ushtruese Detyre. Prej afro katër vitesh kemi Kryeprokuror me Ushtrues Detyre. Edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor është me Ushtrues Detyre.
Një numër institucionesh të pavarura dhe agjencish kyçe, funksionojnë pa mandate të rregullta, disa në gjendje gjysmë funksionale, disa tërësisht jofunksionale.
Ushtruesi i detyrës, në thelb, është mekanizëm i përkohshëm, i paraparë për situata emergjente dhe tranzitore. Nuk është dhe nuk mund të shndërrohet në model qeverisjeje. Kur përkohshmëria zgjatet përtej çdo kufiri racional, kemi deformim të qëllimit kushtetues të normës.
Kjo gjendje prodhon pasoja serioze juridike dhe institucionale: cenon parimin e sigurisë juridike, relativizon legjitimitetin e vendimmarrjes, dobëson pavarësinë funksionale të institucioneve dhe zbeh llogaridhënien. Sepse përgjegjësia pa mandat të plotë është gjithmonë e kushtëzuar.
Mandati i rregullt kushtetues dhe ligjor nuk është formalitet, ai është garanci e stabilitetit, vazhdimësisë dhe autonomisë institucionale.
Ushtruesi i detyrës, për shkak të natyrës së përkohshme dhe varësisë nga kalkulimet politike për konfirmim apo zëvendësim, krijon terren për ndikim politik dhe për komprometim të pavarësisë që Kushtetuta dhe ligjet synojnë ta mbrojnë.
Një shtet që funksionon për vite me radhë përmes “zgjidhjeve të përkohshme” po institucionalizon anomalinë. Po normalizon devijimin nga standardi kushtetues dhe ligjor. Po e shndërron përjashtimin në rregull.
Nuk mund të kërkojmë sundim të ligjit kur vetë struktura institucionale mbahet pezull. Nuk mund të flasim për stabilitet kur organet kyçe drejtohen pa mandat të plotë.
Nëse duam rend kushtetues funksional, duhen emërime të rregullta dhe mandate të plota, nese duam shtet të së drejtës, duhet t’i rikthehemi rregullit, jo përjashtimit.
Përndryshe, nuk kemi më situatë të përkohshme, kemi model të konsoliduar të Shtetit si Ushtrues Detyre!





