24.1 C
New York
Saturday, June 21, 2025

Buy now

Shteti pagoi gjysmë milioni euro në 5 muaj për persona që u burgosën e arrestuan pa faj

- Advertisement -

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti i ka kompensuar me shuma parash në total 113 persona.

Vlera e këtij kompensimi kap shumën e hiç më pak se 500 mijë eurove.

E arsyeja e këtij kompensimi është se këta persona ishin arrestuar dhe kishin përfunduar në burg, madje edhe ishin dënuar pa pasur as edhe një faj të vetëm.

Kështu thuhet në përgjigjen e KGjK-së për Klankosova.tv.

Sipas të dhënave nga Këshilli Gjyqësor, 11 të dëmtuar janë kompensuar sipas vendimeve gjyqësore, derisa 102 në procedurë jashtë gjyqësore.

“Gjatë vitit 2025 e deri më tani, janë kompensuar 113 persona; 11 persona janë kompensuar sipas vendimeve gjyqësore, ndërsa 102 janë kompensuar në procedurë jashtëgjyqësore pranë komisionit për kompensim dëmi. Të gjitha në shumë prej 500.000 euro”, ka thënë KGjK-ja për Klankosova.tv.

Naser Pajazitaj, para dy vjetësh kishte bërë padi për kompensimin e dëmit që pretendon se iu shkaktua gjatë kohës kur përballej me akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, rast ky i cili akoma s’ka marrë epilog. Shteti vendosi ta dëmshpërblejë me 61 mijë e 777 euro, ndërsa ai kishte kërkuar 1 milion e 150 mijë euro.

Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, e më pas Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin, duke e dënuar atë me 35 vjet burgim. Por, me vendim të Gjykatës Supreme, Naser Pajazitaj u lirua më 6 prill të 2023-tës.

Fillimisht nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Pajazitaj kishte marrë ofertë për kompensim prej 60 mijë eurosh, por që u refuzua nga pala mbrojtëse.

Para gati dy vjetësh, mbrojtja e tij bëri padinë për kompensim në vlerë prej 1 milion eurosh.

Për këtë ka folur për Klankosova.tv avokati Ahmet Tahiri, i cili përfaqëson Pajazitajn.

“Nuk jemi kompensuar ende. Ende nuk ka filluar procesi gjyqësor. Padinë e kemi bërë para gati dy vjetësh, jemi ende në pritje. Tash krejt varet nga gjykata se kur do të fillojë procesi. Ne fillimisht kemi pranuar një ofertë për dëmshpërblim, por që e kemi refuzuar”, deklaroi ai.

Tahiri shtoi tutje se klienti i tij e ka përjetuar rëndë krejt këtë ngjarje.

“Klienti im është në gjendje të rëndë shëndetësore. E ka përjetuar shumë rëndë. Paramendoni si është të jesh në burg. Ka qëndruar i pafajshëm në burg për shtatë vite”, theksoi Tahiri për Klankosova.tv.

Redaksia ka siguruar edhe raportin e plotë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për ata që janë kompensuar me marrëveshje gjyqësore e jashtëgjyqësore.

E po ashtu edhe për ata që janë refuzuar për t’u kompensuar.

Aty ka persona që janë kompensuar me shuma simbolike, të tilla si 200, 300, 400 e 500 euro, por edhe raste kur të dëmtuarit kanë përfituar shuma më të mëdha nga shteti, si 35 mijë, 30 mijë, 20 mijë e të ngjashme.

Raporti nuk jep detaje për rastet, por tregon vetëm periudhën e qëndrimit të tyre në burg.

Të ngjashme

Të fundit