8.5 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Shteti pa kryeprokuror| Osmani s’merr vendim, Kurti do të ishte bërë vetë

- Advertisement -
Presidentja Vjosa Osmani nuk do ta dekretojë emrin e propozuar për kryeprokuror të vendit, por vendimin nuk e ka marrë ende. Për Albin Kurtin, pozita e kryeprokurorit është më e rëndësishme sesa ajo e kryeministrit të vendit. Po të mundte, shefi i Qeverisë do të ishte bërë vetë prokuror.

Shteti ende s’ka kryeprokuror, pasi presidentja ka vendosur të mos e dekretojë Blerim Isufajn në krye të instancës më të lartë të ndjekjes në vend. Në prill, Këshilli Prokurorial vendosi ta zgjidhte Isufajn për pozitën e kryeprokurorit, por Vjosa Osmani në tetor ka thënë se e ka njoftuar këtë organ që të mos presin dekretim nga ajo. Kanë kaluar 8 muaj dhe propozimi i KPK-së rri ende mbi tavolinën e shefes së shtetit.

“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, ka thënë Osmani më 26 tetor.

Kryeministri Albin Kurti, e ka shumë të rëndësishme pozitën e kryeprokurorit. Ai tha të shtunën para qytetarëve të Pejës se më e rëndësishme sesa kryeministër, do të ishte sikur ai të bëhej kryeprokuror.

“Secilën ditë që po vazhdoj si kryeministër, shpeshherë edhe duke e dëgju ministrin Hekuran, po më duket që hala më e rëndësishme kish me qenë me u pasë bë kryeprokuror. Po unë kryeprokuror s’muj me u bë, a kryeministër m’keni bë ju, a kryeprokuror s’muj me u bë. Se për të ecë mbarë po nuk funksionoi edhe prokuroria edhe gjyqësia qysh duhet, do të vonohemi shumë. Se këta me na nalë s’mujnë. Po, me na vonu po. Ama gjithnjë e më pak, e unë jom optimist që edhe në këtë pengesë ia dalim bashkë sikurse në të tjerat”, ka thënë shefi i Qeverisë.

Këtë, pak a shumë njësoj, e kishte thënë edhe gjatë procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri.

Përveç gjykatave, nuk ka tjetër mekanizëm që mund ta detyrojë Presidenten ta marrë një vendim për këtë çështje.

Gjykata Kushtetuese më 4 korrik i ka shpallur të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror, Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Nga Presidenca kishin thënë se ishin duke e pritur Gjykatën Kushtetuese, para se kjo gjykatë, si kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, ta shpallte vendimin për ankesat e dy kandidatëve që ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garën për kryeprokuror.

Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shkruan Express.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësues, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, kishin reaguar gjithashtu në prill, duke i kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të mos e dekretojë Isufajn, pasi e konsideronin të papranueshëm propozimin e KPK-së. Këto organizata i kanë kërkuar Presidentes që t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

Kur Aleksandër Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar në prill, KPK e caktoi Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit