Disa nga kontestet e Qeverisë së Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar morën epilog final gjatë vitit 2022, përfshirë atë lidhur me padinë ndaj shtetit të ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmani, si dhe padisë nga institucioni bankar “Iute Credit”.
Në radhë, në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar ndodhet lënda në rastin “MABCO Construction”, një padi e iniciuar ndaj shtetit nga afaristi dhe politikani Behgjet Pacolli.
Kur e çoi Kosovën në Arbitrazhin Ndërkombëtar, Behgjet Pacolli pretendoi se drejtësia kosovare nuk ka qenë e sinqertë lidhur me procesin e privatizimit të hotelit Grand.
Prandaj, kishte thënë ai se ka zgjedhur arbitrazhin ndërkombëtar për t’ia njohur të drejtën për pronën mbi hotelin Grand.
Kreu i AKR-së thënë se personalisht nuk po kërkon nga shteti i Kosovës që t’i paguajë diçka, por se kompania e tij po kërkon vetëm kthimin e mjeteve të veta, të cilat i kishte paguar për blerjen e hotelit Grand. Pacolli kërkon saktësisht gjashtë milionë euro.
Lënda e kësaj padie, e cila është dorëzuar pranë Arbitrazhit Ndërkombëtar më 2017, është në avancim.
Siç ka mësuar Paparaci nga burime të afërta me Ministrinë e Drejtësisë, në korrik të këtij viti është mbajtur seancë në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar lidhur me kontestin Pacolli-Qeveria e Kosovës.
Burimet e njëjta i kanë thënë Paparacit se, “vendimi në këtë rast mund të marrë kohë orientimisht rreth një vit” nga mbajtja e seancës. Sipas këtij burimi, vendimi për rastin e padisë së Pacollit ndaj shtetit pritet të nxirret verën e vitit të ardhshëm.
Vitin e kaluar, stafi i Pacollit kishte deklaruar se gjashtë milionë eurot të cilat presidenti i AKR-së i kërkon në Arbitrazh, nuk kërkohen në formën e dëmshpërblimit nga shtetit, por se ato “janë mjete që i janë marrë padrejtësisht zotit Pacolli”.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i kryetarit të AKR-së, ka pretenduar se Agjencia Kosovare e Privatizimit i kishte bllokuar padrejtësisht ato mjete.
“Për saktësi, 6 milion eurot që kërkohen në Arbitrazh janë paratë e zotit Pacolli, të cilat padrejtësisht dhe politikisht i janë bllokuar nga AKP. Pra nuk janë para (as edhe një cent)që kërkohen si dëshmpërblim nga shteti por janë paratë e kompanisë së zotit Pacolli të transferuara në mënyrë të rregullt bankare nga Zvicra”, kishte thënë Zyberaj.
Të shtunën, Kosova e ka fituar rastin kundër kompanisë financiare “IuteCredit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbritazhit.
“IuteCredit” e kishte paditur Kosovën në Arbitrazh dhe kishte kërkuar 30 milionë euro dëmshpërblim nga shteti