Shtetet e vogla humbin pa njerëz që nuk dinë të udhëheqin politikë të jashtme të mençur

- Advertisement -

Shkruan: Blerim Canaj

Po jetojmë në një kohë të pasigurisë së madhe ndërkombëtare, në një epokë që, siç mendonte edhe Hans Morgenthau në „Politics Among Nations“, përcaktohet nga balanca e fuqisë dhe jo nga dëshirat e vogla të shteteve. Në këtë realitet të ri gjeopolitik, shtetet që nuk kanë politikë të jashtme të qartë ecin në mjegull pa e ditur se ku do t’i çojë rruga e ndryshimeve globale. Historia na mëson se në periudha të tronditjeve ndërkombëtare, siç paralajmëronte edhe Henry Kissinger, në „World Order“ mbijetojnë dhe përparojnë vetëm ato shtete që dinë të lexojnë kohën dhe të veprojnë me vizion strategjik.

Kosova sot ndodhet pikërisht në një moment të tillë vendimtar. Nuk është më koha e improvizimeve, as e politikës së ditës. Është koha kur politika e jashtme nuk është vetëm çështje diplomatike, por çështje ekzistence shtetërore, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenie qytetare. Në botën e sotme, siç e theksonte Zbigniew Brzezinski në „The Grand Chessboard“ pozita ndërkombëtare e një shteti përcakton drejtpërdrejt sigurinë, ekonominë dhe perspektivën e tij.

Prandaj, në këtë periudhë të re të riformatimit të rendit botëror, shteti dhe qytetarët e Kosovës duhet të dinë të zgjedhin njerëzit që kanë përvojë, shije politike dhe vizion për politikën e jashtme. Sepse sot, më shumë se kurrë, mirëqenia e brendshme e Kosovës nuk vendoset vetëm në Prishtinë, por – siq po e përjetojmë tashmë – edhe në tavolinat ku vendoset fati i rajoneve, aleancave dhe ekuilibrave globalë.

Një shtet i vogël pa politikë të jashtme të fortë është i pambrojtur. Një shtet me diplomaci të mençur është i sigurt. Dhe një shtet që di të lexojë botën, di edhe të ndërtojë të ardhmen e vet. Sepse në fund të fundit mesazhi që përqon politika e jashtme është i qartë: Një shtet që nuk është i fortë në politikën e jashtme, i tregon botës që nuk është i fortë as brenda.

Të ngjashme

Të fundit