Të dielën rreth orës 08:05, policia është njoftuar nga shërbimi emergjent i qytetit se në një dhomë hoteli në Prizren është gjetur pa shenja jete një grua rreth 82 vjeçare, shtetase gjermane, e cila ishte mysafire në Kosovë.
Shaqir Bytyqi, zëdhënës në policinë rajonale të Prizrenit tha për Express se lidhur me rastin, “menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Janë intervistuar dëshmitarët dhe është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes”.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.
“Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, dhe hetimet lidhur me këtë rast janë në proces”, përfundoi Bytyqi.