Shkruan: Ramiz Lladrovci
Shteti i Kosovës, nga Pavarësia e këndej, kurrë nuk ka qenë më pak shtet. Shtet, sui generis, me kapacitete ashtu e ashtu të kufizuara me besueshmëri që viteve të fundit filloi të luhatet gjithnjë e më shumë nga vet kreu i shtetit, për fat të keq, ky mosbesim në skenën ndërkombëtare po thellohet. Pse?
Viteve të fundit, është në diskutim edhe atdhetaria e krerëve të shtetit. A ka elemente për dyshime të tilla apo ka diçka që vërtetë dëshmon se nuk janë atdhetarë dhe është mirë që diskutohet. Atdhetaria e disa krerëve të shtetit, të vë në siklet. Ky siklet rritet kur e mendon se disa politikanëve nuk ju bëhet vonë për shtetin, nuk ia kanë gajlen. Kështu ishte për demarkacionin, liberalizimin e vizave, kështu është edhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare dhe përmbylljen e çështjes me Serbinë.
Cilido udhëheqës ushtarak që do të ndikonte largimin e FSK-së nga ushtrimet e NATO-s, më e pakta do të duhej dorëheqja, për më keq, do të duhej trajtuar si afri me tradhtinë kombëtare. Nëse vendimi do të ishte nga krerët politikë, njëjtë, dënim edhe në shtyllën e turpit. Pa aleatë, Kosovën nuk e presin ditë të mira. Fjalët dhe veprat, kanë një det ndërmjet.
Cilido udhëheqës policor i cili do ta largonte Policinë e Kosovës nga trajnimi dhe aftësimi i mëtejmë nga Policia amerikane, më pakta do të ishte dorëheqja apo shkarkimi i menjëhershëm, sepse, postet e personat në postet politike janë plotësisht të përkohshme. Nëse vendimi do të ishte pasojë e ndonjë politikani, atëherë, do të duhej trajtuar me kompetencë nga organet mos ndoshta ka të bëj me tradhti kombëtare.
Cilido politikan që e largon Kosovën nga Amerika dhe BE-ja, do trajtuar e hulumtuar si mundësi e lidhshmërisë me tradhtinë kombëtare apo elemente të tradhtisë kombëtare në favor të armikut tonë shekullor. Kushdo ka njohuri për politikën hegjemoniste serbe, e di se në tavolinë, është problem t’ia ndryshosh bindjen një politikani serb. Kushdo i njeh ata, e di se dehen lehtë dhe i dehuri nuk e përdorë trurin.
Kjo buron nga urrejtja dhe grabitja e tokave fqinje dhe politika e këtij shteti kukull i Rusisë, i cili zgjerimet e veta i kishte konstante, nga Pashallëk i Beogradit, u shndërrua në shtet të madh ballkanik, gjë të cilën Rusia e përkrahu me të gjitha mjetet.
Duhet të pajtohemi se një serb, qytetar normal, shqiptarët nuk i çmon si të barabartë. Në takime në Bruksel, së fundmi, është thënë se presidenti i Serbisë, ka sharë me nënë kryeministrin e Kosovës. Ai, ishte treguar agresiv, sipas ADN-së së vet. Ky fakt i dhimbshëm do krahasuar me trajtimin e kryeministrit të mëparshëm, të cilin gati e patën varë publikisht pse i kishte thënë vetëm “znam pomalo”.
Pasi i paskan futur duart edhe në Gjykatën Kushtetuese me Radojiçiqin, sipas audio-incizimeve, loja merr rrugë të pakthyeshme për të keq, po aq serioze si dështimi me FSK, Policinë e Kosovës dhe dështimin kapital të politikës sonë të jashtme, në raport me shtetet aleate. Të gjitha këto, kurrë nuk do të dëmtoheshin, po të ishin ndërtuar nga këta që prishin balansin në Ballkan.
Këto katër çështje, kurrë nuk do të dëmtoheshin nëse në krye të punës, do të ishin personat të cilët do ta kishin ndërtuar me mund, sakrificë e djersë, ushtrinë, policinë, diplomacinë dhe gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Asgjë personale por, një shtëpie nuk ia di vlerën nëse nuk e ke ndërtuar vet. Nga këto që thash, këto katër segmente jetike të shtetit po i prishin ata që nuk i ndërtuan. Për më keq, mendojnë se e kanë mirë pse po i prishin. Historia do t’i demantojë, sikur kauzat e rreme të ngritura ndër vite.