Nikoqir ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili priti plot 47 liderë evropianë, transmeton Klankosova.tv.
Pritja ishte speciale për gjithsecilin prej tyre, por kush mori vëmendjen ishte kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kur Rama iu ulë në gjunjë, si dhe e presidentit francez, Emmanuel Macron, kur Edi Rama ia kapi dorën.
Pas pritjes, udhëheqësit u drejtuan për në Pallatin e Operës dhe Baletit, ku ata u prezantuan me një video të realizuar nga Inteligjenca Artifiale, sikur të ishin fëmijë, gjë që ngjalli të qeshura tek të gjithë pjesëmarrësit.
Më pas, ata vazhduan për të realizuar foton familjare. Pas kësaj, liderët e Evropës hodhën nënshkrimet në “yllin evropian” të Shqipërisë.
Sakaq, në seancën plenare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, patën rastin të flasin disa nga liderët evropianë si: Macron, Starmer, Erdogan, Von der Leyen, Merz, Zelensky e Meloni.
Nga të gjithë u bë thirrje që të përfundojë sa më shpejt lufta e Rusisë ndaj Ukrainës.
Madje ata shtuan që përgjegjësi kryesor në këtë konflikt është presidenti rus, Vladimir Putin.
Nuk munguan as falënderimet për mikpritjen e përzemërt të Shqipërisë ndaj tyre, transmeton Klankosova.tv.
E pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ndër të tjera, bëri thirrje që Bashkimi Evropian t’i tërheq masat ndaj vendit tonë.
Moment pikant ishte edhe ai i Edi Ramës në fund të sesionit të parë të këtij samiti, ku iu drejtua të pranishmëve me një thinje nga kanuni shqiptar.
“Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Kjo fjali është vërtet shumë e thellë, dhe është edhe origjinë e faktit që ne arritëm në fund të luftës së dytë botërore si vendi që kishte më shumë hebrenj të cilët shqiptarët i mbrojtën me jetën e tyre. Por të gjitha këto që bëjmë për miqtë, kemi shumë rëndësi që t’u japim ushqim të mirë. Për këtë arsye pavarësisht se thuhet dreka nuk është falas, sot do ta shikoni që është e kundërta sepse sa herë që të vini në Shqipëri në çfarëdo lloj cilësie do të jeni gjithmonë të mirëpritur, dhe pas një orë do të rikthehemi që Evropa të vazhdojë punën e saj”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Ky samit nuk ka përfunduar ende, pasi pritet që pas orës 18:00 të ketë një konferencë përmbyllëse për media. /klankosova.tv