Lidhur me padinë penale të ngritur ndaj ish-presidentit Donald Trump, nga Shtëpia e Bardhë u tha se presidenti Joe Biden është i vetëdijshëm për akuzën e paraardhësit të tij dhe “natyrisht” do ta ndjekë rastin, por theksoi se “nuk është fokusi i tij”.
“Shikoni, presidenti do të përqendrohet te populli amerikan siç bën çdo ditë. Kjo nuk është diçka që është në fokus për të. Ai do të fokusohet në gjëra të tilla si sigurimi që ne të vazhdojmë të ulim çmimet për popullin amerikan,”- është shprehur sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në një përgjigje për CNN.
“Sigurisht, kjo po shfaqet në shumë prej rrjeteve këtu në baza ditore për orë e orë të tëra, kështu që padyshim, ai do të kapë një pjesë të lajmeve kur të ketë një moment për të kapur lajmet e ditës, por nuk është fokusi i tij për sot,”- ka shtuar më tej ajo.
Bëhet e ditur se ndërsa akuza e ish-presidentit Trump po zhvillohet ne Manhattan, ku tashmë ai është arrestuar dhe pritet të nisë gjyqi, Biden do të takohet me Këshillin e tij të Këshilltarëve për Shkencën dhe Teknologjinë për një bisedë mbi inteligjencën artificiale.
Ndërkohë, Jean-Pierre nuk ka pranuar të komentonte mbi specifikat e çështjes, por ka përsëritur se Bidenit “nuk e hodhi kokën lart” për aktakuzën dhe është informuar nga shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Jeff Zients mbi zhvillimet që janë raportuar në media.
Kujtojmë se vetë Biden ka refuzuar vazhdimisht të komentojë mbi rastin, por duke folur për CNN të hënë, ai ka thënë se ka besim në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut dhe është përgjigjur pozitivisht kur është pyetur nëse ka besim në sistemin ligjor.
Për çfarë është aktakuza ndaj Trump?
Sipas raportimeve të CNN, në aktakuzë Trump përballet me më shumë se 30 akuza në lidhje me mashtrim.
Hetimi nga zyra e Prokurorit të Qarkut Manhattan kishte nisur Trump ishte ende në Shtëpinë e Bardhë dhe lidhet me një pagesë prej 130,000 dollarësh të bërë nga avokati personal i Trumpit, Michael Cohen drejt Stormy Daniels në fund të tetorit 2016 – disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016, për të parandaluar këtë të fundit që të flasë mbi një lidhje të supozuar me Trump rreth një dekadë më parë. Kjo aferë ishte mohuar vazhdimisht nga Trump.
Një objektiv në hetim ka qenë pagesa e bërë për Daniels dhe rimbursimi i Organizatës Trump për Cohen.
Sipas dosjeve gjyqësore kur Cohen u përball me akuza penale federale, drejtuesit e Organizatës Trump kishin autorizuar pagesa për të në shumën totale prej 420,000 dollarësh për të mbuluar pagesën e tij fillestare prej 130,000 dollarësh, detyrimet tatimore dhe për ta shpërblyer atë me një bonus. Kompania i kishte shënuar rimbursimet si shpenzim ligjor. Trump ka mohuar se ka pasur njohuri në lidhje me këtë pagesë.
Pagesat e “hush money” nuk janë të paligjshme, por përpara aktakuzës, prokurorët ishin duke parë nëse do ta akuzonin Trumpin për falsifikimin e të dhënave të biznesit të Organizatës Trump për mënyrën se si ajo pasqyronte rimbursimin e pagesës ndaj Cohen, i cili ka deklaruar se e kishte paguar Daniels. Dhe në Nju Jork, falsifikimi i të dhënave të biznesit është një kundërvajtje.
Prokurorët gjithashtu kanë qenë duke menduar nëse do të akuzonin Trumpin për falsifikimin e të dhënave të biznesit në shkallën e parë për falsifikimin e një dosjeje me qëllim të kryerjes së një krimi tjetër ose për të ndihmuar ose fshehur një krim tjetër, që në këtë rast mund të ishte shkelje e ligjeve të financimit të fushatës. Ky është një krim i klasës E dhe mbart një dënim prej të paktën një viti deri në katër vjet. Për të vërtetuar këtë rast, prokurorët do të duhet të tregojnë se Trump ka synuar të kryejë një krim.