7 C
New York
Thursday, November 27, 2025

Buy now

“Shtëpi të papërfunduara, përfitues pa plotësuar kriteret”, çka gjeti ZKA në projektin 3 milionësh të MAPL-së

- Advertisement -

 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar një raport se si Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka menaxhuar projektin prej 3 milionë euro për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë gjatë vitit 2024. Raporti gjeti një sërë mangësish dhe shkeljesh që përfshijnë planifikimin, përzgjedhjen e përfituesve, si dhe zbatimin e subvencionit. Këto të gjetura konfirmojnë hulumtimin e Gazetës Insajderi për aferën milionëshe.

Në raportin e publikuar të auditimit për projektin “Ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna”, të zhvilluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) gjatë vitit 2024.

Nga 3 milionë euro të ndara për këtë program, ministria ka shpenzuar 2.29 milionë euro, ndërsa auditimi ka zbuluar një varg shkeljesh në fazën e planifikimit, përzgjedhjes së përfituesve dhe zbatimit të subvencioneve.

Sipas raportit, projekti është zhvilluar jashtë planit vjetor të punës së ministrisë dhe pa rregullore të brendshme që përcakton procedurat e menaxhimit të subvencioneve.

“Zhvillimi i aktiviteteve jashtë fushëveprimit ligjor dhe pa rregullore të miratuara rrezikon legjitimitetin dhe transparencën e përdorimit të fondeve publike. Po ashtu mund të ketë ndikim në shpenzime jo efikase dhe devijim të burimeve nga objektivat strategjike dhe prioritetet e ministrisë“.

Sipas ZKA-së, edhe pse projekti kishte për qëllim përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në gjendje të rëndë sociale, procesi i realizimit nuk ka qenë plotësisht i harmonizuar me kërkesat për ligjshmëri, transparencë dhe barazi.

Përzgjedhje e përfituesve me parregullsi, trajtim i pabarabartë dhe dokumentacion i mangët

Nga gjithsej 500 aplikantë, MAPL ka përzgjedhur 51 përfitues, por ZKA ka gjetur se disa prej tyre janë kualifikuar pa i plotësuar kriteret minimale të thirrjes publike.

Raporti përmend raste ku përfitues janë zgjedhur pa dëshmi të vlefshme të pronësisë.

“Dy përfitues janë përzgjedhur pa plotësuar kriterin e posedimit të pronës”.

Po aq problematik ka qenë trajtimi i pabarabartë i aplikantëve. ZKA evidenton se mbi 50 aplikantë janë refuzuar vetëm pse kishin dorëzuar “ekstrakt të lindjes” në vend të “certifikatës së lindjes”, ndërsa disa përfitues të tjerë janë pranuar me të njëjtin dokument, duke shkelur parimin e barazisë.

“Janë evidentuar 9 përfitues… që kishin aplikuar vetëm me ekstrakt të lindjes dhe ishin përzgjedhur”, ndërkohë që 58 të tjerë u refuzuan për të njëjtën arsye.

Një tjetër problem i madh ishte mungesa e dokumentimit për vizitat në terren, ku komisioni kishte përjashtuar 43 aplikantë pas vlerësimit të kushteve të banimit, por pa asnjë provë mbështetëse.

“Përzgjedhja e përfituesve që nuk i kanë plotësuar kriteret dhe përdorimi i standardeve të ndryshme të vlerësimit gjatë këtij procesit ka rezultuar në trajtim jo të barabartë të aplikantëve duke rrezikuar ligjshmërinë, integritetin dhe besueshmërinë e procesit. Po ashtu, dokumentimi jo i mjaftueshëm pamundëson verifikimin dhe cenon transparencën përgjatë procesit të vlerësimit“.

Vendime kontradiktore dhe mosshfrytëzim i fondeve të disponueshme

Në disa raste, Komisioni i Ankesave ka nxjerrë vendime kontradiktore.

Aplikantë që i plotësonin kriteret janë refuzuar me arsyetimin se nuk kishte mjete të mjaftueshme, megjithëse nga buxheti i projektit ishin të pashpenzuara mbi 700 mijë euro, fonde të cilat mund të mbulonin përfitues shtesë.

“Vendimet e pa bazuara të komisioneve kanë rezultuar në përjashtimin e aplikantëve që i kishin plotësuar kriteret e përcaktuara, duke cenuar parimin e barazisë dhe transparencës në procesin e subvencionimit“.

Dy shtëpi të papërfunduara – ministria nuk ndërmori masa

Auditimi po ashtu ka identifikuar dy raste ku përfituesit nuk i kanë respektuar kushtet kontraktuale:

– Në një rast, përfituesi pranoi avans prej mbi 23 mijë euro, nuk dorëzoi dokumentacion shpenzimesh dhe shtëpia mbeti e papërfunduar edhe pas 16 muajsh.

– Në rastin tjetër, u ekzekutuan 80% e mjeteve, por ndërtimi nuk u finalizua dhe përfituesi nuk raportoi shpenzimet.

Edhe pse komisioni monitorues raportoi për këto parregullsi, ministria nuk ndërmori asnjë masë, ani pse kontrata e detyronte të kërkonte kthimin e mjeteve në raste të tilla.

Rekomandimet e ZKA-së

ZKA i kërkon MAPL-së që:

Të përfshijë të gjitha aktivitetet e subvencionimit në planin vjetor dhe të hartojë rregullore të brendshme të qarta;

Të sigurojë barazi dhe transparencë në procesin e përzgjedhjes së përfituesve;

Të përmirësojë trajtimin e ankesave;

Të zbatojë masat kontraktuale ndaj përfituesve që nuk i respektojnë obligimet

Raporti i ZKA-së vlerëson se procesi i përgjithshëm ka qenë i mangët dhe jo plotësisht në përputhje me ligjin, duke cenuar transparencën, barazinë dhe efikasitetin në shpenzimin e parave të qytetarëve.

Në përgjigjet ndaj ZKA-së, MAPL pranon disa vonesa dhe lëshime teknike, por pretendon se në shumicën e rasteve vendimet e komisioneve ishin të drejta.

Hulumtimi i Insajderit për milionat e shpërndara nëpër shtëpi nga Ministria e Elbert Krasniqit- Specialja konfirmon hetimet

Gazeta Insajderi në dhjetor të 2023-tës përmes një hulumtim disa mujor kishte zbuluar se si Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e drejtuar nga Elbert Krasniqi e kishte shpenzuar fondin 3 milionësh për ndërtim e renovim shtëpish. Kompanitë që kryejnë këto punë u zgjodhën pa tender, diçka që në projektet e më hareshme të gjasshme qeveritare u bë ndryshe.

Gazeta Insajderi ka raportuar se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me këtë tender.

“Kane kërkuar të gjitha dokumentet me të dhëna nga MAPL”, tha burimi i Insajderit.

Gazeta Insajderi poashtu ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria por të njëjtit, nuk kanë dhënë ndonjë detaj.

“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se Prokuroria Speciale në këtë fazë nuk mund të iu ofroj asnjë informacion”, tha zëdhënësja për media e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kishte konfirmuar po ashtu se në mesin e përfituesve të projektit për ndërtim të shtëpive në veri ishin daja i Faton Pecit, dhe vëllai i kryetarit të Leposaviçit, Lulzim Hetemi. Ata kanë përfituar 46 mijë euro për ndërtimin e shtëpive të tyre. MAPL nuk kishte publikuar listën e përfituesve të këtij subvencioni.

Të ngjashme

Të fundit